Paralajmërohen vërshime në pjesë të Kosovës si pasojë e reshjeve

Njohësi i çështjeve të emergjencave, Tahir Ahmeti, thotë se mund të kemi vërshime në pjesë të caktuara të vendit nga të reshurat. Megjithatë shtoi se mund të kalojnë shpejtë.

Ahmeti ka thënë se institucionet duhet të jenë të përgatitura në këto raste që t’u dalin në ndihmë qytetarëve të rrezikuar nga vërshimet.

“Vërshime të shpejta të cilat ndodhin nëpër përroskat apo nëpër lumenjtë të cilët mund të dalin nga shtrati dhe mund të rrezikojnë ekonomitë bujqësore, ekonomitë familjare dhe të shkaktojnë edhe përmbytje nëpër fusha. Këto vërshime janë të shpejta kalojnë një kohë dhe nëse s’ka të reshura përfundojnë”.

“IHMK si institucion kryesor shtetëror, i cili është i thirrur për të dhënë vlerësimin për kohën, ka dhënë paralajmërime se do të ketë të reshura si të shiut pastaj do të ketë edhe të reshura të borës më vonë”, tha Ahmeti për Ekonomia Online.

Ndërkaq, reshjet e ditëve të fundit në Kosovë nuk i kanë dëmtuar kulturat bujqësore. Profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, sasia e reshjeve që ka rënë momentalisht nuk është e dëmshme, duke shtuar se duhen përgatitje për të mbjellat pranverore në mënyrë që të sigurohet sasi e mjaftueshme e ushqimeve.

“Normalisht që sasia e reshjeve që ka rënë nuk është e dëmshme në këtë nivel reshjesh për kulturat që janë mbjellë në vjeshtë, ekskluzivisht mendohet në grurë. Por mendoj se sipërfaqet e planifikuara nuk janë realizuar dhe unë mendoj se këtë periudhë kohore që ne po hyjmë kemi me u përballë edhe në nivel global me pasiguri të mëdha ushqimore”.

“Rekomandoj te të gjithë fermerët, te të gjitha zonat prodhuese që tokën maksimalisht ta punojnë dhe që esencialisht të përgatiten gjatë periudhës së dimrit për të mbjellat pranverore që maksimalisht të përpiqemi të mos lëmë asnjë pëllëmbë toke pa punuar që të sigurojmë ushqim nga konditat tona, kushtet agroekologjike, ndryshimet klimatike janë çështje që ballafaqohet i tërë globi dhe ne duhet të jemi në trend me të tjerët”, tha ai.

Sipas tij, pandemia ka shkaktuar dëme edhe në sektorin e bujqësisë, e që duhet patjetër ndihma e shtetit./ EO

Reklama