Paraditja me intervale diellore, pasditja vjen me stuhi të fuqishme shiu e breshri

Nga sot edhe në Kosovë atmosfera do të jetë gjithnjë e më jostabile. Paradite do të kemi mot me intervale kohore me diell, ndërsa gjatë ditës dhe pasdite në shumë rajone priten zhvillime të fuqishme të vranësirave konvektive apo vertikale të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Megjithatë, reshjet mund të mos jenë gjithëpërfshirëse. Zhvillime do të ketë edhe gjatë natës ku vende -vende do të ketë rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë. Vetëtimat do mund të shihen anekënd Kosovës.

Në Shqipëri sot mot kryesisht me diell dhe mjaft i nxehtë. Pasdite në veri dhe disa pjesë të qendrës të vendit priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Edhe në Maqedoninë Veriore sot mban mot i nxehtë dhe me diell, por pasdite në disa rajone priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Veriu dhe qendra e Malit të Zi nesër do të ketë mot mjaft jostabil me rrebeshe loklaisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër. Vetëm jugu mund të mbetet pa reshje por edhe atje mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Nesër në tërë rajonin pritet të kemi mot mjaft jostabil, me vranësira të dendura, herë pas here me rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Në orët e mbrëmjes do të ketë reshje të dendura, vende-vende rrebeshe të fuqishme shiu si pasojë e kalimit të vorbulles ciklonike së bashku me sistemin frontal afër territoreve tona, në Kosovë priten ulje të theksuara të temperaturave, kurse rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullima masive do të përfshijnë edhe Shqipërinë, poashtu edhe shumë pjesë të bregdetit shqiptar.

Të enjtën dhe të premtën stabilizim i motit në tërë rajonin por do të jetë freskët. Në bregdet kryesisht me diell, por mund të ketë edhe vranësira kalimtare. /Meteoballkan

Reklama