Paradite mot i nxehtë, pasdite rrebeshe shiu

Gjatë ditës së sotme në Kosovë paradite do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Pasdite dhe në mbrëmje pritet të ketë zhvillim të vranësirave të cilat vende-vende do të sjellin rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Në Shqipëri  mot i ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme. Pasdite vonë në veri, verilindje dhe veriperëndim të vendit e deri në qendër pritet të ketë riga apo rrebeshe lokale shiu. Nga qendra e deri në jug sipas modeleve do të mbetet pa reshje atmosferike me ndonjë përjashtim të vogël ku mund të ketë ndonjë zhvillim lokal vranësirash me ndonjë rrebeshe afatshkrtër shiu.

Në Maqedoninë e veriut  pritet të ketë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Pasdite vonë në veri të vendit mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Në Mal të Zi pritet mot i ndryshueshëm, ku në jug të vendit do të ketë gjasa për rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të hënën në tërë rajonin do të kemi mot të ndryshueshëm me intervale kohore me diell, vranësira të herëpashershme dhe vetëm lokalisht mund të ketë ndonjë rigë apo rrebesh shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të martën dhe të mërkurën sipas ecurive aktuale sinoptike pritet të kemi mot me më shumë diell por edhe vranësira kalimtare. Reshje nuk priten me ndonjë përjashtim të vogël, ndërsa të enjtën pritet destabilizim i ri i motit me vranësira dhe rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan

Reklama