Palmer thotë se është e mundur arritja e marrëveshjes Kosovë-Serbi këtë vit

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer ka thënë se Kosova nuk është e gatshme të negociojë për kufijtë dhe territorin, por gjithashtu mendon se ishte “absolutisht e mundur” që presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të nënshkruajnë marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës këtë vit.

Në një intervistë për mediumin serb “Blic”, Palmer tha se ai mendon se Prishtina nuk është e gatshme të negociojë për kufijtë dhe territoret, duke theksuar se ai beson se ka zona shumë më produktive për bisedime në këtë moment.

“Këta janë, për shembull, persona të zhdukur, një temë rreth së cilës të dy palët mund të arrijnë një marrëveshje,” tha zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit.

Në të njëjtën kohë, ai thekson se Shtetet e Bashkuara inkurajojnë, “siç kanë bërë deri më tani, zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Brukselit dhe të gjitha pikat e saj”.

I pyetur nëse Vuçiq dhe Kurti mund të pritet të nënshkruajnë një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës në 2021, Palmer u përgjigj se ai “mendon se është absolutisht e mundur”.

“Por kjo varet vërtet nga ata dhe ajo që ne do të dëshironim është t’i inkurajojmë ata të përfshihen. Si presidenti Vuçiq ashtu edhe kryeministri Kurti kanë mbështetje të fortë politike, ata janë në gjendje të përfshihen seriozisht në të gjithë procesin, të identifikojnë pjesët ku mund të arrihet një marrëveshje dhe të ndihmojnë të gjithë procesin të shkojë përpara”.

Ai ka përsëritur se Shtetet e Bashkuara e shohin njohjen reciproke si diçka që i jep fund të kaluarës dhe i vendos Serbinë dhe Kosovën në një pozicion që mund të ecet përpara, duke shtuar se do të duhet më shumë kohë dhe punë.

Reklama