Pagarusha para dy vitesh: Vetëm një gjë më mbetet merak në këtë jetë

Në moshën 87-vjeçare sot ka vdekur ikona e muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha.

Muzika që ajo ka bërë mbetet një nga krenaritë më të mëdha ndër shqiptarë. Bagazhi i saj përfshin këngë e koncerte të shumta. Ndër më të njohurat mbeten: “Baresha”, “Ani mori nuse”, “E dehun jam”, “Zambaku i Prizrenit”, “Kur më shkon si zog n’hava”, “Kur më del në derë”, “Një lule”, “Dallëndyshe”.

Në një intervistë të para dy viteve, për Gazetën Blic, Pagarusha kishte thënë se i mbetet merak që nuk kishte përkrahjen institucionale për ta realizuar një koncert solistik në Kosovën.

“Unë shumë herët jam larguar nga skena. Më mbetet merak që nuk kam pasur përkrahjen institucionale për ta bërë një koncert solistik në Kosovë. Tanimë nuk besoj që isha kthyer në skenë sepse artisti e ndjen momentin kur duhet të lë skenën”, kishte thënë Pagarusha.

Pagarusha shprehte dashuri të madhe për popullin shqiptar, e këtë e përsëriste shpesh që edhe angazhimi i saj i kushtohej këngës shqipe.

“Unë gjithë jetën time kam punuar për popullin tim, jam munduar që të popullarizoj këngën e bukur shqipe, ta lartësoj atë. Në kohërat shumë të vështira për një artiste shqiptare dhe për popullin tim, unë me shumë kompetencë e kam prezantuar këngën shqipe pothuajse në tërë botën. Sa i përket institucioneve tona nuk dua të flas . Le t’i mbetet gjithkujt në ndërgjegje se çfarë kanë bërë për artistët”, kishte theksuar Pagarusha. /RahoPress.

Reklama