Një vit nga vdekja e Hilmi Haradinajt, Latifi: Ishte atdhetar dhe shqiptar i madh

Është bërë një vit prejse ka vdekur atdhetari Hilmi Haradinaj, njëherësh edhe babai i kryeministrit Haradinaj.

Kryetari Smajl Latifi, i ka kushtuar një shkrim Haradinajt, duke e vlerësuar si atdhetar e shqiptar të madh.

Në shkrimin e tij, Latifi ka thënë se Hilmi Haradinaj ishte figurë frymëzuese për shumë ushtarë të UÇK-së në luftën për liri dhe çlirim.

Ky është shkrimi i plotë:

Atdhetar e luftëtar, një shqiptar i madh e i vërtetë ishte Hilmi Haradinaj.

Ende e kam përpara syve qëndrimin e tij stoik edhe kur familjes së tij shpesh i vinin lajme të këqija, si në kohën kur djemtë e UÇK-së tashmë kishin shkrepur krismat e para e po luftonin trimërisht në beteja kundër çetnikëve serbë, poashtu, edhe pas luftës, në liri.

Bacën Hilmi, siç e njohëm, në secilin rast e rrethanë reflektonte atdhedashuri e trimëri të pashterrshme, burrëri dhe zemërbardhësi.

Jo rastësisht Ai u bë frymëzim i shumë e shumë luftëtarëve të UÇK-së dhe jo rastësisht ai ishte i zoti i një shtëpie që nuk kurseu asgjë për lirinë e vendit. Krejt në fund, bashkë me djemtë e tij ai kapi pushkën në krahë dhe ju kundërvu armikut.

Sot qenkan bërë 1 vit nga vdekja e Bacës Hilmi. Do ta përkujtojmë gjithmonë si një atdhetar e luftëtar të madh, si babain e 3 heronjve të pavdekshëm të familjes së madhe Haradinaj.

Ai mbetet përgjithmonë si një simbol që shpreh njerëzi, atdhedashuri, qëndresë, trimëri e urtësi.

U prehsh në paqe Baca Hilmi!

Reklama