Një hap më afër Sheshit Qendror të Qytetit, Komuna nënshkruan marrëveshje me UN-Habitatin

Komuna e Rahovecit dhe UN-Habitat kanë nënshkruar marrëveshje për planifikimin hapësinor.

Drejtori i Urbanizmit, Planifikimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Rumir Zhuniqi ka thënë se ky Memorandum Mirëkuptimi i hap rrugë ideimit të konkursit për Sheshin Qendror të Qytetit.

“Sot Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, ka nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi me UN-Habitatin, përkatësisht Gëendoline Mennetrier, kryekëshilltare teknike për bashkëpunim në planifikimin hapësinor. Kjo marrëveshje i hap rrugë procesit për ideimin e konkursit për Sheshin Qendror të Qytetit. Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria për Urbanizm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit së bashku me UN-Habitatin është në fazën finale të planit për mbajtjen e konkursit ndërkombëtar për projektimin e sheshit”, ka shkruar Zhuniqi.

Zhuniqi ka theksuar se Drejtoria e Urbanizmit do të përkujdeset që i gjithë procesi të jetë sa më transparent, ndërsa ka thënë se kjo marrëveshje do t’i shërbejë komunës edhe për projekte të tjera në të ardhmen, në fushën e planfikimit hapësinor.

“Siç edhe jeni njoftuar më herët, Drejtoria që unë udhëheq, është duke u përkujdesur që i tërë projekti të përcillet nga procedura tejet transparente e moderne, duke bashkëpunuar ngushtë me UN-Habitatin. Për sheshin që do të ndërtohet në Rahovec, secili qytetar do ta ketë mundësinë që ta thotë fjalën e vet, përmes organizimit të debateve mbi këtë projekt që pritet të bëhen.

“Memorandumi i Mirëkuptimit me UN-Habitatin Komunës sonë do t’i shërbejë edhe për projekte të tjera në të ardhmen. Bashkëpunimi me këtë organizatë në fushën e planifikimit hapësinor e rritë transparencën, funksionalitetin dhe profesionalizmin në zbatimin e projekteve”, ka shkruar ai.

Reklama