Nisin grevat në arsim e shëndetësi

Gjykata Kushtetuese dje ka pezulluar Ligjin për Paga në Sektorin Publik deri më 30 mars të vitit 2020. Pas këtij vendimi nga sot shëndetësia, arsimi, dogana e policia i filluan masat sindikale.

Në të gjitha shkollat, çerdhet dhe universitetet publike të Kosovës ka nisur greva dy orëshe në shenjë pakënaqësie me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pezulloi Ligjin e ri të Pagave deri në fund të muajit mars.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala konfirmoi për KosovaPress se greva dy orëshe në të gjitha shkollat dhe çerdhet dhe universitetet publike ka nisur të mbahet sipas orarit të planifikuar. Ajo tha se grevë dy orëshe do të ketë edhe në orarin e pasdites.

Sipas saj kjo grevë nuk po mbahet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por për atë që Avokati i Popullit, Hilmi Jashari e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo paralajmëroi se së shpejti do të mblidhet kryesia e SBASHK-ut për të marrë vendim lidhur me vendimin për pezullim të ligjit të pagave nga Kushtetuesja.

Edhe në QKUK shumë pacientë mëngjesin e sotëm janë kthyer mbrapa pasi qysh në orën 7:00 të mëngjesit ka filluar greva tetë orëshe në të gjitha Klinikat Universitare, përjashtim të Klinikës Emergjente.

Ndërkaq Arbër Morina, kirurg në QKUK përmes një postimi në Faceobok ka shkruar se kolegjiumi i kirurgëve sot merr vendim që nuk do të ketë grevë.

“Kolegjiumi profesional i kirurgëve sot merr vendim të njëzëshëm: Nuk ka asnjë lloj greve. Puna vazhdohet normalisht”, ka shkruar ai.

Të pakënaqura me vendimin e Kushtetueses janë shprehur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Federata Sindikale e Shëndetësisë dhe Sindikata e Policisë, të cilat kërkonin që nga ky muaj të nisë zbatimi i Ligjit për paga.

“Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30  deri në orën 8:30. Greva në Universitete  greva fillon në orën 8 deri në orën 10. Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet. Greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale”, u tha në njoftimin e sindikatave për media.

Reklama