Nisi projekti për trajtimin e ujërave atmosferik, synohet evitimi i vërshimeve në qytet nga reshjet e shiut

Kanë nisur sot punimet për ndërtimin dhe trajtimin e ujërave atmosferik të qytetit të Rahovecit.

Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, ka thënë se ky projekt synon evitimin e vërshimeve të rrugëve si pasojë e reshjeve të furishme të shiut, që viteve të fundit janë shpeshtuar në zonën e Rahovecit.

Sipas njoftimit, projekti do të kushtojë mbi 248 mijë euro, në kanalin e gjatë 560 metra.

Latifi ka paralajmëruar zgjerimin e projektit edhe në zona të tjera.

Njoftimi i plotë:

FILLOJNË PUNIMET NË PROJEKTIN “NDËRTIMI DHE TRAJTIMI I UJËRAVE ATMOSFERIK NË QYTET”

Të nderuar bashkëqytetarë,

Komuna e Rahovecit tash e sa vite përballet intensivisht me reshje të shiut, të cilat kanë shkaktuar vërshime dhe vështirësi të shumta në kalueshmërinë e rrugës. Me qëllim që të gjejmë një zgjidhje permanente ndaj këtij problemi që po përsëritet tash e shumë herë, është vendosur që bashkë me inxhinierë dhe arkitektë të komunës së Rahovecit të punojmë intensivisht dhe të dalim me një projekt i cili njëherë e mirë do i jepte fund problemeve të kahmotshme të ujërave të rrëmbyeshëm që ju kanë shkaktuar dëm ekonomive familjare dhe bizneseve që operojnë në këtë segment rrugor.

Projekti: “Ndërtimi dhe trajtimi i ujërave atmosferik në Qytet”, kap vlerën prej 248,702.57€, gjatësia e kanalit do të jetë 560m, kanali si i tillë do të jetë me diametër të paraparë në projekt: 2m me 1.30m, kanal i tipit të mbyllur dhe do të trajtohet me të gjitha elementet përcjellëse. Pas përfundimit të punimeve në kanal, do të rregullohen edhe dy shtresa asfalt.

Punimet në trajtimin e ujërave atmosferik në qytet do të fillojnë nga pika e karburantit Pompa “Veda Oil” dhe shkarkimi i këtij kanali do të bëhet në lumin Duhllo, me parametrat e nevojshëm teknik që shkarkimi të jetë i ngadalshëm.

Ky është vetëm fillimi i zgjidhjes së problemit të ujërave të rrëmbyeshme që përshkojnë qytetin e Rahovecit dhe ne do të vazhdojmë që këtë problem ta zgjidhim edhe në pjesët tjera për të normalizuar situatën me përmbytjet ose vërshimet.

Urime qytetarëve të Rahovecit!

SL

Reklama