Nga nesër nis dhënia e dozës së tretë të vaksinës anti-Covid në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga e enjtja, 9 dhjetor, do të fillohet me administrimin e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në popullatë.

Sipas MSH-së, doza përforcuese do t’u jepet njerëzve të cilët i kanë marrë dy doza paraprakisht, por me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Doza përforcuese jepet gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Doza e tretë do t’u jepet personave që s’kanë zhvilluar imunitet të duhur pas marrjes së dy dozave, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut. Doza e tretë jepet jo më herët se tetë javë dhe pa i bërë gjashtë muaj nga marrja e dozës së dytë.

Dozën përforcuese dhe dozën e tretë mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare.

MSH-ja ka thënë se qytetarët do të njoftohen për datat e vaksinimit përmes SMS-ëve, emailit dhe njoftimeve publike.

“Duke konsideruar që vaksinimi është mënyra më efektive për të kufizuar dhe ndërprerë përhapjen e virusit dhe për të arritur mbrojtjen e popullatës, Ministria e Shëndetësisë u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që të shfrytëzojnë qendrat dhe ekipet mobile të vaksinimit kudo në Kosovë për t’u vaksinuar sa më parë kundër COVID-19”, thuhet në apelin e MSH-së.

Reklama