Nga Amerika në Krushë, Haradinaj për Ukshin Hotin: Madhështia e tij na bënë të vegjël

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ishte për vizitë, sot ka qëndruar në Krushë të Madhe, në 23-vjetorin e zhdukjes së atdhetarit shqiptar, Ukshin Hoti.

“Madhështia e tij na bënë të vegjël”, ka shkruar Haradinaj, duke njoftuar se figurës së Hotit i ka ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”.

Haradinaj ka thënë se Ukshin Hoti e kishte formësuar mendimin politik shqiptar. Për të, Hoti mbetet shembull për elitat politike të shqiptarëve.

“Të përulur me respekt, në shtëpinë muze të Ukshin Hotit, kujtojmë intelektualin, kryengritësin, rrezatuesin mbi injorancën dhe zërin moral të shoqërisë shqiptare. Ukshin Hoti formësoi mendimin politik shqiptar, promovoi etikën në politikë dhe mbetet shembull për elitat politike të shqiptarëve.  Në nderim të veprës së tij jetësore, sot i kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, ka njoftuar Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj ka vizituar edhe Fahrije Hotin, gruan dhe sipërmarrësen nga Krusha e Madhe, që e ka të zhdukur bashkëshortin që nga lufta.

“Gjithashtu, sot nderuam gruan me të cilën jeta ishte shumë e padrejtë. Fahrije Hoti i rezistoi sfidave të luftës dhe paqes, e tregimi i saj dhe grave krushjane, tregim i rezistencës, solidaritetit e ndërtimit të jetës, i paraqitur artistikisht në filmin “Zgjoi”, u propozua për çmimin Oscar.  Zonja Fahrije, u nderua me titullin “Evropianja e vitit 2022”, në Ditën e Evropës. Në nderimin e veprës së saj jetësore, sot u bashkova dhe unë”, ka njoftuar ai.