Nga 90 euro, pensionet në Kosovë bëhen 100 euro

Anëtarët e kabinetit të Qeverisë së Kosovës në një mbledhje qeveritare kanë votuar unanimisht pro propozimit për rritjen e shumës së përfitimit të skemave pensionale të financuara nga shteti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se një vendim i tillë i përhershëm, i cili bën që të mos ketë më në Kosovë pension nën 100 euro, ka qenë edhe premtim i qeverisë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se qeveria në kuadër të Pakos të Ringjalljes Ekonomike kishte marrë vendim që gjatë tërë vitit 2021 asnjë pension të mos ishte nën 100 euro dhe këtu ishin katër kategori, respektivisht pensionet bazike me 90 euro, pensionet e aftësisë së kufizuar me vlerë 75 euro, pensioni familjar me vlerë 90 euro dhe pensioni invalidor i punës me vlerë 90 euro.

Me vendimin e ri, Murati tha se që të katër këto kategori do të jenë përfituese.

“Kemi aplikuar shtesa për këto lloj kategori pensionesh në mënyrë që ato të mos jenë nën 100 euro. Për këtë shtresë do të bëhet rritje e përhershme dhe nga tani e tutje nga këto kategori pensionesh asnjëra nuk do të jetë nën 100 euro”, tha Murati.

Nga këto kategori të cilat tani e tutje do të paguhen me 100 euro përfitojnë rreth 240 mijë pensionistë të Kosovës.

Reklama