Neuropsikiatri Blyta: Debatet politike po ua rrisin tensionin e gjakut qytetarëve

Debatet televizive po ua rrisin tensionin e gjakut dhe po u shkaktojnë stres qytetarëve. Kështu ka thënë neuropsikiatri, Afrim Blyta, në një intervistë për “Kallxo Përnime”.

Ai ka thënë se mediat në Kosovë duhet ta kenë objektiv informimin por një gjë e tillë nuk po ndodh.

“Unë mendoj që mediat në parim duhet me pasë para vetes objektivin kryesor, ai është informimi. Informimi i drejtë, i saktë, … për me eduku e arsimu. Por unë nuk e kam këtë përshtypje për mediat tona në Kosovë, po e shtojnë stresin”, ka deklaruar ai.

Ai, ka thënë se nga një eksperiment që e ka bërë me pacientet e tij, rezultatet kanë treguar se në 70 për qind të rasteve pacientëve emisionet ua kanë rritur tensionin e gjakut.

“Po e tregoj një eksperiment të vogël që e kam bë unë me pacientet e mi, në komunikim të përditshëm me ta shpesh pacientët ankohen se nuk e po e ndijnë veten mirë në momentin kur po e shikojnë televizionin dhe disa debate që po ndodhin vazhdimisht. Në mesin e pakënaqësive e kanë përmend edhe këtë dhe atyre u kam rekomandu me e bë një eksperiment të vogël”, tha ai.

“Para se të filloj emisioni, që ti mendon se është stresues e shqetësues, mate tensionin e gjakut dhe kur përfundon emisioni mate tensionin e gjakut prapë. A e dini cili ka qenë rezultati? Te diku 70 për qind e atyre që e kanë bërë, tensioni ka qenë i rritur diku te 30 për qind pas emisionit. Vetë emisioni ka qenë një situatë që unë e kisha përshkruar si vampir psikologjik”, deklaroi neupsikiatri Blyti.

Për ta shmangur këtë, ai ka rekomanduar që mos të shikohen emisionet që shkaktojnë stres.

Fatkeqësisht, këto debate po veprojnë si vampir psikologjik tek njerëzit. Nëse nuk ju pëlqejnë emisionet ndërroni ato, alternativa ka plot, shikoji ato që të bëjnë të ndihesh mirë”, deklaroi ai.

Reklama