Nesër përurohet monografia për dëshmorin Skender Gashi

Nesër në qendrën kulturore “Mensur Zyberaj” në Rahovec do të bëhet përurimi i monografisë “Deri në frymën e fundit” – Rrugëtimi atdhetar i dëshmorit Skender Gashi, me autor Qemajl Krasniqin.

Ceremonia e përurimit mbahet në orën 10 e 30, me ç’rast për vlerat e monografisë do të flasin njohës të kësaj fushe, si dhe veprimtarë të çështjes kombëtare e bashkëluftëtarë të dëshmorit Skender Gashi.

Monografia është përmbledhje e fakteve, dëshmive e rrëfimeve gojore të bashkëluftëtarëve të luftëtarit të orëve të para të luftës Skender Gashi, si dhe të bashkëkohanikëve të tij.

Ky aktivitet organizohet me rastin e ditëlindjes së dëshmorit dhe në kuadër të manifestimeve “Ditët e mërgatës”, pasi që vetë dëshmori Skender Gashi i është bashkuar luftës çlirimtare nga mërgimi, duke braktisur punën dhe jetën e rehatshme në Austri në këmbim të luftës për liri./RahoPress/