Nesër nis greva, vjen vendimi pas pezullimit të Ligjit për Paga

Pas vendimit të Gjykatës Kushtuetuese për të pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga, Federata Sindikale e Shëndetësisë nesër hyn në grevë.

Blerim Syla, kryetar i Sindikatës, për KALLXO.com tha se nesër nga ora 7:00 deri në 15:00 të gjitha nivelet e shëndetësisë hyjnë në grevë.

“Përfundimisht nesër fillon greva, tash jemi duke e planifiku strategjinë, për hapa të mëtutjeshëm nuk mundem me fol tash, sepse tash do të mblidhemi dhe do të flasim se çfarë hapa do të ndërmarrim. Do ta merrni vesh me kohë”, ka thënë Syla në përgjigjen e tij për KALLXO.com.

Gjykata Kushtetuese sot vendosi për të pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga, sipas kërkesës së Avokatit të Populllit që Ligji të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Avokati i Popullit ishte ankuar pasi ka pranuar 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik.

Reklama