Nënshkruhet marrëveshja për rrugën me 4 korsi Rahovec-Xërxë, projekt që do të kushtojë 3.4 milionë euro

Kryetari i Komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka nisur angazhimin për asfaltimin e rrugës me 4 korsi Rahovec-Xërxë.

Projekti që kushton 3.4 milionë euro do të realizohet pas nënshkrimit të një memorandumi mes kryetarit Latifi e ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj.

Për këtë projekt ka njoftuar kryetari Latifi.

“Sot po e fillojmë ditën me një lajm të madh – kemi nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Infrastrukturës për ndërtimin e rrugës me 4 korsi në relacionin Rahovec – Xërxë! Ky projekt ka vlerë të parashikuar 3.4 milionë euro dhe është i një rëndësie të veçantë sa i përket infrastrukturës rrugore, sepse krijon kushte më të mira të qarkullimit dhe lëvizjes së qytetarëve”, ka shkruar Latifi.

Sipas tij, rruga Rahovec – Xërxë do të jetë autorrugë e tipit të hapur dhe e standardeve më të larta dhe njëkohësisht, projekti më i madh infrastrukturor në komunën e Rahovecit.

“Falënderojmë Ministrinë e Infrastrukturës dhe ministrin Pal Lekaj për këtë investim!”, ka shkruar në fund kryetari Latifi. /RahoPress/

Reklama