Nenad Arsiq nga Çagllavica nuk pranon krimet e luftës në Emshir

Para Departamentit të Posaçëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot është mbajtur shqyrtimi parapërgatitor në rastin e Nenad Arsiqit nga Çagllavica, i akuzuar për krime lufte në lagjen Emshir të Prishtinës, më 1999, raporton RTS.

Prokurorja speciale, Drita Hajdari akuzon Arsiqin se në cilësinë e përbërjes rezervë të policisë ka shkelur rëndë të drejtën humanitare ndaj shqiptarëve të Kosovës, më 1999.

Sipas aktakuzës, siç raporton RTS-ja, pjesëtarë tash për tash të paidentifikuar të policisë kanë hyrë në pronën e familjes Shala në lagjen Emshir të Prishtinës.

Prokurorja pohon se Arsiq i kishte torturuar një kohë të gjatë dy anëtarë të familjes Shala, duke iu shkaktuar lëndime nga të cilat tash vuajnë pasojat.

Aktakuza thekson se Arsiq i ka pioshtëruar viktimat duke i detyruar të këndojnë këngë patriotike serbe.

Bashkë me pjesëtarë të paidentifikuar të policisë, siç thotë aktakuza, ka marrë pjesë në shkatërrimin masiv dhe përvetësimin e të hollave dhe të pasurisë tjetër të lëvizshme.

Në pyetjen e gjykatësit, sipas asaj që thuhet në aktakuzë, ai deklaroi se nuk ndihet fajtor për asnjëç nga pikët e aktakuzës, transmeton Koha.net raportimin.

Avokati i Arsiqit, Dejan Vasiq, thotë se pohimet e aktakuzës mbështeten në deklaratat e dy të dëmtuarve, të cilët Arsiqin në atë kohë e kanë parë në oborrin e tyre.

“Deklaratat e tyre, sipas mendimit tim, të dhëna në një interval të caktuar, dallojnë. Nuk ka dyshim se këta njerëz ishin rrahur. Nëse këtë e ka bërë Nenad Arsiq, do të tregojë procesi gjyqësor”, ka shtuar Vasiq.

Mbrojtja e Nenad Arsiqit ka 30 ditë afat të bëjë ankesë kundër aktakuzës.

Në shqyrtimin e ardhshëm gjykatësi do të njoftojë nëse do ta hedhë poshtë aktakuzën, apo të vazhdojë procesin në bazë të saj.

Reklama