“Në vjeshtë do të ketë lëvizje pozitive për liberalizim të vizave”

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Valon Murtezaj, beson që gjatë kësaj vjeshte do të mund të ketë lëvizje pozitive që të merret vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ne një lidhje direkte të mërkurën në Interaktiv të KTV-së, Murtezaj ka thënë se përveçse janë plotësuar kriteret tash e disa vjet nga ana e Kosovës, edhe vendet si Franca, Gjermania e Polonia kanë dhënë sinjale në këtë drejtim.

“Kosova i ka plotësuar kriteret tanimë që disa vjet. Natyrisht ne tani e dëgjuam edhe prononcimin e Francës, Gjermanisë, Polonisë por kemi pasur lëvizje pozitive edhe nga Holanda. Besoj që në vjeshtë mund të jetë e sigurt që do të merret vendimi për t’u hequr vizat për Kosovën me një lloj afati në mënyrë që pastaj të mund të lëvizet plotësisht lirshëm. Por, politika e jashtme ka ngecur shumë në promovimin e interesave të qytetarëve të Kosovës. Detyra e politikës së jashtme është që të jetë gjithmonë prezentë në vendet nga të cilat varet vendimmarrja për proceset sa i përket Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

“Sa i përket marrëveshjes për targat, Murtezaj ka thënë se kthimi në targat e kohës së UNMIK-ut do të ishte gabim i madh për vendin.

“Kthimi në çfarëdo targa të tilla, UNMIK-u në Kosovë nuk ka kurrfarë roli në qeverisje, është çështje e tejkaluar dhe do të ishte gabim i madh nëse kthehemi në situata të tilla dhe për këtë duhet ulur dhe të diskutohet për një marrëveshje të madhe ku përfshihen të gjitha çështjet”, është shprehur ai.

Murtezaj ka kritikuar drejtimin aktual të Ministrisë së Jashtme, për çka ka thënë se nuk ka strategji.

“Ka disa vite e sidomos në këtë qeveri që nuk po vërejmë se ka strategji për politikë të jashtme, nuk ka fokus të qartë. Le të themi se njohjet qenka e vështirë të merren. Në aspektin e punëve të brendshme të punëve të jashtme, në ligjshmërinë, në plotësimin e vendeve vakante të misioneve diplomatike nëpër botë, ne sot kemi ambasada pa ambasadorë, kemi ambasada të fuqishme pa staf adekuat as në cilësi e as në sasi”, ka thënë ai.