Në Shqipëri rritet prodhimi i perimeve, ulet prodhimi i drithrave

Në vitin 2018, prodhimi i perimeve është 1.166.283 ton, duke shënuar një rritje vjetore rreth 1,25 për qind, krahasuar me vitin 2017. Niveli më i lartë i prodhimit të perimeve është në qarqet Fier me 418.921 ton, Tiranë me 127.176 ton dhe Berat me 118.687 ton.

Prodhimi i drithërave në vitin 2018 është 678.196 ton, duke shënuar një rënie me 3,35 për qind, në krahasim me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të drithërave u arrit në qarkun e Fierit me 172.433 ton, pasuar nga qarqet Elbasan me 96.441 ton dhe Korçë me 74.969 ton.

Në vitin 2018, prodhimi i patates është 254.543 ton, duke shënuar një rritje me 1,9 për qind, në krahasim me vitin 2017. Qarqet që kanë nivelin më të lartë të prodhimit janë, Korça me 66.502 ton, Fieri me 46.128 ton dhe Elbasani me 27.650 ton.

Në vitin 2018, perimet e njoma ishin 771.724 ton duke shënuar një rritje me 3,93 për qind, krahasuar me vitin 2017. Prodhimi i bostanoreve ishte 281.297 ton duke shënuar një rënie me 4,86 për qind dhe perimet e thata 113.262 ton duke shënuar një rënie prej 0,42 për qind, në krahasim me vitin 2017.

Prodhimi i perimeve në serra përfaqëson 21.82 për qind të prodhimit gjithsej të perimeve. Prodhimi i domates në serra në termat e prodhimit ndaj prodhimit gjithsej të perimeve në serra është 54,96 për qind e pasuar nga trangulli dhe speci më respektivisht 27,95 për qind dhe 8,79 për qind.

Në vitin 2018 u prodhuan 117.573 ton ullinj, duke pësuar një rritje 9,04 për qind, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të ullirit u arrit në qarkun e Beratit me 37.340 ton, pasuar nga qarqet Fier me 31.496 ton dhe Vlorë me 15.023 ton. Ndaj prodhimit total të ullirit, 79 për qind përfaqësohet nga ullinjtë për vaj dhe 21 për qind nga ullinjtë për tavolinë.

Prodhimi i agrumeve në vitin 2018 është 45.499 ton duke shënuar një rritje prej 10,88 për qind, krahasuar me një vit më parë. Niveli më i lartë i prodhimit të agrumeve u arrit në qarkun e Vlorës me 31.354 ton.

Reklama