Në Rahovec shënohet “Java e dëshmorëve”, u nis me homazhe te varrezat e qytetit

Sot në Rahovec ka nisur “Java e dëshmorëve”, me ç’rast në ditën e parë, kryetari Smajl Latifi me bashkëpunëtorë, e kanë nisur duke bërë homazhe dhe nderime në varrezat e qytetit.

Ai ka thënë se parashihen edhe aktivitete të shumta gjatë kësaj jave në nderim të gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës.

5 Maji shënon edhe Ditën Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut. Latifi ka thënë se veprimtaria dhe vetëmohimi i dëshmorëve janë udhërrëfim për brezat.

Latifi ka shkruar:

5 MAJI – DITA KOMBËTARE E DËSHMORËVE TË ATDHEUT

…”Ju kish lindur nëna për një botë të re,

lule more trima që ratë për atdhe”…

Në komunën e Rahovecit, sot, filloi “Java e dëshmorëve”, ku bëmë homazhe dhe nderime në varrezat e qytetit, e në ditët në vijim parashihet të mbahen edhe aktivitete të shumta, kushtuar, jetës, veprës dhe gjakut të derdhur për liri.

Veprimtaria dhe vetëmohimi i dëshmorëve tanë janë udhërrëfim për brezat, prandaj si të tillë duhet të bëjmë përpjekje për ruajtjen e kësaj trashëgimie kombëtare. Bëmat e dëshmorëve do të shërbejnë udhërrëfim për ne dhe angazhimet e përkushtimet tona ditore duhet të jenë në shërbim të idealit të tyre. Sakrificat e mëdha të dëshmorëve të kombit dhe rrugëtimi luftarak e jetësor i tyre, mirënjohja për nënat, motrat, vëllezërit baballarët dhe të gjithë qëndrestarët e kombit nga të gjitha trojet shqiptare, meritojnë përkulje dhe nderim të pafund. Falë këtyre sakrificave dhe vendosmërisë së dëshmorëve tanë, kemi arritur të çmohemi e vlerësohemi. Këtë pasuri kombëtare duhet ta ruajmë e kultivojmë, sepse këtë bëjnë të gjithë popujt e civilizuar.

Nderimi dhe lavdia ju takon dëshmorëve dhe të rënëve për liri, ndërsa të tjerëve ju takon puna e përkushtimi për jetësimin e idealit të tyre.

Rahoveci me rrethinë është krenar për gjithë atë kontribut të madh që ka dhënë e sakrificat e shumta që i ka dëshmuar në rrugën e gjatë të lirisë së atdheut tonë.

Qoftë i paharruar kujtimi për heronjtë dhe dëshmorët e atdheut!

I përjetshëm ndër breza është 5 Maji!

LAVDI!

Reklama