Në Rahovec nis ofrimi i shërbimeve mjekësore në shtëpi

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se nga sot në Rahovec do të ofrohet shërbim shëndetësor shtëpiak për të gjithë qytetarët e komunës së Rahovecit. Latifi ka thënë se shërbimi “Kujdesi Shtëpiak” synon t’ua bëj më të lehtë qasjen në shërbime qytetarëve që e kanë vështirë të lëvizin deri te qendrat më të afërta mjekësore.

Sipas njoftimit, ky shërbim do të ofrohet nga ora 07:00 e deri në orën 21:00, ku në shërbim do të jenë një mjek dhe një infermier.

Latifi është shprehur i lumtur, duke thënë se ky shërbim që ka nisur me fillimin e 2022-ës, ishte edhe premtim elektoral në fushatën e para pak muajve.

Latifi ka shkruar:

NGA SOT SHËRBIME MJEKËSORE NË SHTËPI PËR QYTETARËT E RAHOVECIT

Viti nisi mbarë. Nga sot e tutje, në Rahovec do të funksionojë shërbimi i ri mjekësor “Kujdesi Shtëpiak”, i cili do ta lehtësojë marrjen e trajtimit shëndetësor për të moshuarit dhe ata më sëmundje të rënda, të cilët e kanë të vështirë mobilitetin deri te QKMF-ja apo QMF-të. Një mjek dhe dy infermierë do të jenë në lëvizje për të ofruar shërbime anembanë Rahovecit nga ora 07:00 deri në 21:00, dhe përveç shërbimeve të tjera ekipi mobil do të bëjë edhe testime rapide për COVID-19, sipas vlerësimit të mjekut.

Jam shumë i gëzuar qe me nisjen e vitit të ri 2022, e nisëm edhe përmbushjen e premtimeve të fushatës së para pak muajve. Kujdesi Shtëpiak, që nisi së ofruari sot, ishte njëri prej premtimeve tona në programin qeverisës.

Shpresoj që qytetarët e Rahovecit të kenë sa më pak nevojë për këtë shërbim dhe të kenë shëndet të mirë gjatë vitit që sapo ka nisur.

Suksese ekipit mjekësor!

Reklama