Në Mamushë ‘mbin’ një Andaluzi e vogël me luledielli

Luledielli në Mamushë, korrik 2022. Foto:KALLXO.com

Pak orë pas lindjes së diellit, luledielli në Mamushë ishin kthyer me ‘fytyrë’ nga burimi i tyre i energjisë. Me mijëra sosh kanë mbuluar fushat pjellore në veri të Prizrenit.

Në një tokë që dikur ishte djerrinë, familja Morina kanë vendosur që këtë vit të mbjellin një kulturë të re, atë të lulediellit. Në plantacionin prej 32 hektarësh në të cilin mbjellë zakonisht grurë, Berzat Morina në maj të këtij viti për herë të parë ka hedhur farën e lulediellit.

Për të rritur rendimentin e tokës ku ka pas grurë viteve tjera, e për ta bërë tokën më pjellore, Morina është dashtë ta ndërroj kulturën e bimës. Në bazë të një hulumtimi regjional kanë identifikuar që ka kërkesë për kultivimin e lulediellit.

“Përveç kërkesës për luledielli, kur po shoh çdo ditë ngritjen e çmimit të vajit po mendoj që ma mirë është me mbjell vet luledielli e me pas vajin tonë,” tha ai.

Familja Morina ka gjithsej 200 hektarë tokë pjellore. Në këtë pasuri tokësore këtë vit kanë mbjellur 65 hektarë me grurë, 32 me luledielli, kastër hektarë me arra dhe një pjesë me misër.

Luledielli në Mamushë, korrik 2022. Foto:KALLXO.com

Morina tha që këtë vit e kanë provuar tokën me luledielli dhe nëse në vjeshtë shohin që ka rendiment të mirë, interesim dhe kërkesë, atëherë do të vazhdojnë me kultivimin e tyre dhe zgjerimin e plantacionit.

Vetëm për një hektarë të mbjellur me luledielli kanë investuar diku rreth 800 euro për farën, plehërimin, ujitjen, pa përfshirë edhe fuqinë punëtore. Ndërsa në muajin shtator do e bëjnë korrjen me mekanizma bujqësorë.

Pavarësisht rrezikut për dështim në rendiment, Morina thotë që ia vlen të rrezikosh kur ekzistojnë gjasat që ia vlen dhe përftimet mund të jenë të mëdha.

Në Mamushë përveç lulediellit ka shumë serra për kultivimin e perimeve. Këta faktorë kanë bërë që Mamushën ta quajnë një lloj Andalusi të vogël të Kosovës.

Luledielli në Mamushë, korrik 2022. Foto:KALLXO.com

“Deri tash jemi të kënaqur, po shpresojmë që në vjeshtë e shohim në bazë të rendimentit a ia vlen me vazhdu ose jo,” shtoi ai.

Këto luledielli po tentojnë që t’i shndërrojnë në vaj kuzhine. Por për shkak të mungesës së kompanive për përpunim të lulediellit në vaj në Kosovë, ata janë në kontakt me kompani të tilla në Bullgari dhe në Greqi.

Ilir Dula, menaxher i fermës së familjes Morina tha që janë në diskutime që lulediellin kur ta dorëzojnë si lëndë të parë të bëjnëkëmbim të mallit dhe të marrin vajin e papërpunuar ose të përpunuar në varësi të marrëveshjes dhe të çmimit .

“Domosdoshmërisht kultivimi i lulediellit ka punë se së pari duhet të bëhet mbjellja e farës edhe farën e kemi ble jashtë vendit se nuk ka farë që prodhohet këtu në Kosovë, edhe ajo e ka një kosto të vet. Mbas mbjelljes duhet të bëhet plehërimi, mandej korrja bëhet kah muaji shtator,” tha ai.

Edhe pse kanë pasur mbështetje institucionale për kultivimin e lulediellit,  ngritja e çmimeve të produkteve ka ndikuar në punën e tyre. Dula shprehu shqetësimin për ngritjen e çmimit të plehut, shtrenjëtim që ndikon drejtpërdrejt në rendimentin në bujqësi.

“Vitin e kaluar një thes pleh me 25 kilogramë ka kushtu 7 euro ose 7 euro e gjysmë, tash një thes kushton 25 euro. Është rritje astronomike e çmimeve të plehut. Por meqenëse ne vetëm plehërimin e kemi kry, te kjo ka ndiku edhe ujitja,” tha Dula.

Dula tha që dy herë kanë përfituar grande nga Ministria e Bujqësisë sa i përket shtrirjes së rrjetit të ujitjes pikë për pikë në një sipërfaqe prej 75 hektarësh, ku për herë të parë ka qenë risi në Kosovë futja e sistemit nëntokësor pikë-pikë.

Luledielli në Mamushë, korrik 2022. Foto:KALLXO.com

Sipas tyre, kjo ndihmë duhet të vazhdoj në mënyrë që edhe vet fermerët të motivohen për të shtuar kapacitetin bujqësor e për të mbjellur kultura të reja të cilat i ndihmojnë Kosovës që mos të varet nga importi.

“Kjo është nisje e procesit e që po shpresoj të jetë afatgjatë,” tha ai.

Dula tha që mbjellja me shumicë e lulediellit është nxitje edhe për përpunuesit e vajit të cilët kanë mundësi që furnizimin e lëndës së parë ta bëjnë direkt prej Kosovës.

Përveç kësaj është një fakt që dëshmon që luledielli rritet në zonën e Mamushës dhe ka mundësi që ta rrisë rendimentin dhe produktivitetin.

Përpos tash me luledielli, Mamusha njihet për tokën pjellore dhe kultivimin e pemëve dhe perimeve me të cilat furnizohet Kosova. Pjesa më e madhe e Mamushës është e mbuluar me serra në të cilat kultivohen domatet.