Ndryshon moti në Kosovë, po hyjmë në një javë të freskët e me reshje

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se që nga dita e sotme ka ndryshuar situata sinoptike mbi gjithë territorin e vendit.

Sipas IHMK-së, rënia e temperaturave ka ndodhur si pasojë e masave të ajrit me origjinë nga verilindja, masa të cilat do të ndikojnë dukshëm në rënien e temperaturave në të dy vlerat ekstreme

Gjithnjë sipas Institutit , përveç ndryshimeve në fushat termike, do të ketë luhatje edhe në fushat barike, duke kushtëzuar mot me vranësira dhe intervale me diell.

Vranësirat gjatë ditës do t’i ndryshojnë stadet e tyre duke u intensifikuar dhe duke krijuar kushte për reshje shiu dhe shkarkime rrufesh.

Reshjet në vende të lokalizuara mund të kalojnë në formë breshnize apo dhe breshëri. Ky aktivitet në atmosferë do të mundësoj që vlerat e temperaturave maksimale të bien për 7-10 gradë Celsius, derisa minimalet parashihen të ulen për 3-4 gradë Celsius.

Temperaturat maksimale gjatë këtyre pesë ditëve parashihen të lëvizin ndërmjet 23-30 gradë celsius, ndërsa minimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 11-18 gradë Celsius.Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-12 m/s.

Reklama