Ndizen motorët euro-amerikanë për dialogun

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe Zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, Matthew Palmer, kanë takuar të hënën udhëheqësit institucionalë dhe liderët e partive opozitare, ku është kërkuar angazhim në synimin që të arrihet marrëveshja finale me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve. E Lista Serbe në takim me diplomatin Palmer ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit.

Janë ndezur motorët euro-amerikanë në përpjekjen e përbashkët që Kosovën dhe Serbinë t’i çojnë drejt një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse. Me kërkesën që palët të dëshmojnë përkushtim në dialogun që pritet të rinisë së shpejti, Zëvendësndihmës sekretari amerikan, Mathew Palmer dhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak e kanë nisur vizitën zyrtare në Kosovë. Mesazhi që kanë dhënë ata është se SHBA-të dhe BE-ja duan marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ligjërisht të detyrueshme, e cila hap rrugën e qartë për integrim evropian për të dyja vendet.

Palmer dhe Lajçak kanë takuar ndaras udhëheqësit institucionalë – presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Kurti. Në ditën e parë të vizitës nuk ka pasur deklarata për media.

Mirëpritet koordinimi SHBA-BE

Sipas njoftimit të presidencës, temë e diskutimit me diplomatët euro-amerikanë ka qenë menaxhimi i pandemisë, zbatimi i reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Sa i takon procesit të dialogut me Serbinë, presidenca ka ritheksuar qëndrimin e institucioneve se Kosova pret që procesi i dialogut të përfundojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.

“Ajo ka ripërsëritur qëndrimin se për Kosovën mbetet thelbësore që në këtë proces të respektohen plotësisht integriteti territorial, rregullimi i brendshëm kushtetues dhe shtetëror, si dhe funksionaliteti i vendit. Për më tepër ajo ka theksuar çështjen e personave të zhdukur dhunshëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, si prioritet në këtë proces”, thuhet në komunikatë. “Ne presim që procesi të përfundojë me njohjen reciproke, duke i respektuar këto parime dhe që marrëveshja të jetë plotësisht e zbatueshme”, citohet të ketë thënë Osmani .

Palmer dhe Lajçak, nga ana e tyre, siç ka thënë presidenca, e ritheksuan edhe një herë mbështetjen e tyre të plotë për procesin e dialogut dhe përmbylljen e tij me marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të rëndësishëm bashkëpunimin dhe koordinimin mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, në prag të, siç e ka quajtur ai, procesit të ri të dialogut Kosovë – Serbi.

Sipas njoftimit nga kryeministria, pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer, Kurti ka thënë se ky bashkëpunim është i mirëseardhur, sepse sipas tij, është i domosdoshëm.

“Kryeministri Kurti e vlerësoi të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai: në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit, pas takimeve me liderët e opozitës dhe para diskutimit në Kuvend për procesin e kaluar të dialogut, marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe nivelin e zbatueshmërisë së tyre”, thuhet në komunikatën e Kryeministrisë.

Ditën e parë të vizitës, Palmeri e ka nisur duke takuar ambasadorin e SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett. Kosnett ka shkruar në “twitter” se Palmer ka ardhur në Kosovë për të diskutuar sfidat, mundësitë dhe çështjet e ngutshme me të cilat përballet Kosova.

Opozita sqarohet për dialogun, Lista Serbe kërkon Asociacionin

Palmer i vetëm ka takuar edhe drejtuesit e dy partive kryesore opozitare. Partia Demokratike e Kosovës teksa ka sqaruar pozicionin e saj karshi dialogut, ka kërkuar një rol më të madh nga Shtetet e Bashkuara në këtë proces.

“Në këtë takim është biseduar për të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi, pritjet nga ky proces të PDK-së që duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë, rolin opozitar të partisë në jetën politike të vendit si dhe tema të tjera me interes për vendin. Kryetari Hoxhaj ka sqaruar pozicionin e PDK-së në raport me zhvillimet politike, dhe ka kërkuar një rol më të madh dhe të drejtpërdrejt të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog si partner strategjik i Kosovës”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Edhe Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku ka falënderuar Palmerin për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës.

“Kryetari Abdixhiku e falënderoi z. Palmer për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe theksoi se SHBA-ja është partneri më i fuqishëm në të gjithë proceset e konsolidimit dhe zhvillimit të shtetit tonë. Po ashtu, kryetari Abdixhiku e njoftoi z. Palmer për qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike në vend si dhe qëndrimet e LDK-së për procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Ndërsa zëvendësndihmës sekretari i SHBA-së, z. Palmer e falënderoi kryetarin Abdixhiku për konstruktivitetin që LDK-ja ka treguar në formimin e institucioneve”, ka njoftuar LDK-ja.

Palmer ka takuar edhe përfaqësuesit e Listës Serbe të cilët kanë qenë më specifik sa i përket dialogut. Ky subjekt ka përsëritur kërkesën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Në takim u diskutua për situatën politike në Kosovë, pozicionin e popullit serb, kishën ortodokse serbe, por edhe për situatën e sigurisë. Veçanërisht është theksuar nevoja për të respektuar të drejtuat e popullit serb, por edhe për të vazhduar dialogun Prishtinë – Beograd nën përkujdesjen e BE-së, por në dritën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura deri tash, kryesisht në lidhje me Asociacionin e Komunave Serbe, energjinë dhe drejtësinë”, shkruan në komunikatën e Listës Serbe.

Për dialogun janë deklaruar edhe pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të hënën. Udhëheqësja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka thënë se është herët të flitet për marrëveshje të mundshme.

“Informacione zyrtare nuk kemi, në këtë rast po flas si udhëheqëse e grupit parlamentar. Në momentin kur ato t’i kemi po besoj nga kryeministri, qeveria dhe të gjithë ata që janë përfshirë drejtpërdrejt në procesin e dialogut, do të bëhen të njohura për publikun, për aq sa ka mundësi të bëhen në këtë fazë, për shkak se është fazë e hershme e përgatitjet dhe e koordinimit për takimet e radhës në Bruksel”, ka thënë Kusari-Lila.

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun dhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit amerikan, të martën do ta kenë edhe një adresim para mediave.

Angazhimi BE-SHBA për arritjen e marrëveshjes

Para se të vijnë në Kosovë, Lajçak e Palmer ishin takuar më 26 maj në Bruksel. Mes tjerash temë e diskutimit ka qenë dialogu Kosovë – Serbi.

Në një intervistë ekskluzive të përbashkët dhënë për emisionin “Desku” të KOHËS më 2 mars të këtij viti, i dërguari i BE-së dhe zëvendësndihmësi i sekretarit të shtetit, Matthew Palmer, konfirmuan se Brukseli dhe Uashingtoni punojnë së bashku për arritjen e një marrëveshjeje finale. Për SHBA-në marrëveshja nënkupton njohjen e ndërsjellë, ndërsa për BE-në hapjen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës.

Po ashtu, Lajçaku e Palmeri kishin ofruar garancitë që Kosova ka kërkuar respektivisht që Kushtetuta e dhe integriteti territorial janë vijat e kuqe që duhet respektuar. Në këtë drejtim, ngritja e Asociacionit që vazhdon të jetë kërkesa kryesore e serbëve ishte thënë se assesi nuk do të bëhet në shkelje të Kushtetutës.

“Kemi tri dokumente, kemi marrëveshje që u nënshkrua në vitin 2013 dhe u ratifikua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash. Pastaj është një marrëveshje e vitit 2015 ky dokument u dërgua në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës që publikoi vendimin e saj që thotë se është e rëndësishme që Asociacioni i ardhshëm respekton plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Pra nuk thuhet se Asociacioni nuk duhet të implementohet, por thuhet se do të implementohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Pra tani në bazë të këtyre tri dokumenteve, ne duhet të ulemi ose palët të ulen dhe të diskutojnë se si t’i implementojnë. Dhe ne i respektojmë plotësisht vijat e kuqe për Kosovën”, kishte deklaruar Lajçaku.

Ndërsa zëvendësndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, kishte deklaruar se njohja e ndërsjellë është e domosdoshme.
“Unë hezitoj të përcaktoj ndonjë afat kohor specifik për dialogun. Por ne absolutisht ndajmë qëllimin e partnerëve tanë të Bashkimit Evropian për ta shtyrë procesin përpara, specifikisht për ta çuar përpara shpejt, për ta shtyrë para me vendosmëri. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të donin të kishte marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ligjërisht të detyrueshme, që hap rrugën e qartë për integrim evropian për dyja, Serbinë dhe Kosovën. Ky ka qenë një qëllim i disa administratave amerikane, me marrëveshje me njohje reciproke, ne e mbështesim fuqishëm këtë”, pati thënë Palmer.

Lajçak e Palmer kanë konfirmuar se nuk ka asnjë konflikt mes avancimit të dialogut dhe avancimit të agjendës për reforma të brendshme si lufta kundër korrupsionit dhe krijimi i vendeve të punës.


Palmer: Marrëveshja e domosdoshme për tërheqjen e investimeve

Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, kanë vizituar të hënën edhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Sipas komunikatës së kësaj ode, Palmeri ka thënë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kyç për tërheqjen e më shumë investimeve amerikane dhe të tjera të huaja, si dhe për krijimin e vendeve aq shumë të nevojshme të punës për popullin e Kosovës dhe tërë rajonit.

“Palmer shprehu dëshirën të dëgjojë nga anëtarët e Odës Amerikane mbi klimën lokale të biznesit si dhe klimën rajonale të biznesit, aspekte këto që zënë vend me prioritet të lartë në agjendën e SHBA-së për promovim të integrimit ekonomik rajonal, për uljen e pengesave në integrimin ekonomik dhe në lëvizjen e njerëzve dhe kapitalit, duke i vlerësuar ato si një kornizë për integrimin e Kosovës në sistemin evropian, në mënyrë ideale si anëtare e BE, e që është edhe objektiv i SHBA-së për të ardhmen e Kosovës.

Përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë folën për rëndësinë e një dialogu më të fuqishëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe sektorit privat, por edhe për avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, zhvillimin e kapaciteteve energjetike, si dhe trajnimin e fuqisë punëtore”, thuhet në komunikatë.

Reklama