Ndeja para Hardh Fest-it, këtë të dielë me poezitë e Xhevdet Bajrajt e këngët e Florent Abrashit

Agron Sokoli, një prej organizatorëve të festivalit të verës Hardh Fest, ka paralajmëruar se këtë të dielë (14 korrik), në Shtëpinë e Verës, do të mbahet PRE Hardh Fest Party.

Ai ka sqaruar se nga ora 18:00 do të fillojë konferenca për media, ku do të zbulohet slogani dhe programi i Hardh Fest 2019, e më pas do të mbahet Ora Poetike dhe do të ketë muzikë Live.

“Në Orën Poetike do të interpretohen poezitë e autorit Xhevdet Bajraj nga librat “Kur qajnë hardhitë” dhe “Vitet që nuk e sollën pranverën”, ndërsa Florent Abrashi & Funky Guru, do të përkujdeset për atmosferën me muzikë LIVE. Warm up, DJ Fisnik Kuqi”, ka njoftuar Sokoli.

“Xhevdet Bajraj është poet i njohur ndërkombëtar i lindur në Kosovë, që jeton dhe vepron në Meksikë. Hardh Fest sivjet mbahet më 16, 17 dhe 18 gusht”, ka shtuar ai.

Sokoli ka sqaruar se PRE Hardh Fest mbahet me përkrahjen e MKRS-së (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit), ndërsa hyrja në këtë ndejë do të jetë falas dhe e hapur për të gjithë.

Hardh Fest sivjet mbahet më 16, 17 dhe 18 gusht.

Reklama