Ndahen subvencionet për kulturë, rini e sport 2020 në Rahovec në vlerë 64 mijë euro

Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Rahovecit, ka njoftuar se janë ndarë subvencionet për ketë sektor për vitin 2020.

Sipas drejtorisë, kërkesa për subvencione kanë bërë 51 subjekte të ndryshme, ndërkohë që janë mbështetur disa prej tyre në vlerën e përgjithshme 64 mijë euro.

“Mbështetur në rregulloren për subvencionimin e kulturës, rinisë dhe sportit, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka nënshkruar kontratat me shumicën prej përfituesit e këtyre subvencioneve për vitin 2020. Kërkesë për mbështetje financiare kanë bërë 51 subjekte të ndryshme, përfshi shoqatat kulturore, sportive, rinore, si dhe individë të ndryshëm që merren me kulturë dhe art. Mbi këtë bazë janë mbështetur financiarisht nëntëmbëdhjetë OJQ sportive dhe një subjekt individual, trembëdhjetë OJQ kanë përfituar mbështetje me projekte kulturore e rinore, si dhe tetë projekte individuale. Shuma e përgjithshme e ndarë për Kulturë, Rini dhe për projekte individuale arrin vlerën e 31 mijë eurove, sporti ka përfituar  gjithsej 64 mijë euro, duke arritur kështu shumën e përgjithshme prej 95 mijë euro”, thuhet në njoftim.

Në bazë të aplikacioneve të pranuara më së shumti mjete janë ndarë për sportin, pastaj për kulturë e rini, ndërsa projektet individuale të mbështetura mbi arsye të qëndrueshme janë mbështetur me shuma më të vogla.

“Mjete të konsiderueshme janë ndarë edhe për festat dhe festivalet tradicionale që organizohen në komunën e Rahovecit. Duhet përmendur faktin se për herë të parë Komuna e Rahovecit, respektivisht DKRS ka mbështetur edhe botimin e librave, monografive dhe projekte të tjera që kanë të bëjnë me mbledhjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në komunën e Rahovecit”, thuhet në fund të njoftimit.

Reklama