Naser Ramadani: 18 persona dyshohet se u helmuan nga ushqimi në një të pame në Trudë të Prishtinës

Një helmim në masë, dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Trudë të Komunës së Prishtinës.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, ka bërë të ditur se gjithsej 18 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi në një të pame.

“85 persona kanë konsumuar ushqim në një të pame në fshatin Trudë të Prishtinës, por 12 prej tyre kanë kërkuar ndihmë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Besi, dhe në gjashtë në një nga QMF-të në Prishtinë. Ata kanë pasur shenja të detoksimit nga ushqimi, si ethe, barkqitje, temperature, vjellje. Gjendja e tyre është stabile”, ka thënë Ramadani.

Ai ka thënë se personave që kanë kërkuar ndihmë u janë bërë analizat dhe ato do të dalin pas 72-orëve.

“Jemi duke e monitoruar situatën. I kemi marrë edhe mostrat e ushqimit në laborator dhe jemi duke i ekzaminuar. Rezultatet pritet të dalin pas 72-orëve”, tha ai.

Kurse i pyetur nëse ju është bërë edhe testi anti-COVID, Ramadani tha se të gjithë pacientët kanë dale negativ.

“Ne ju kemi bërë edhe teste anti-COVID. Të gjithë nga ata kanë rezultuar negativ. Një person e kemi referuar për në Klinikën Infektive, por nuk kemi informacion se a ka shkuar”, tha ai.

Reklama