Myftiu Tërnava uron Kurban Bajramin dhe bën thirrje për respektim të masave ndaj COVID-19

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se festa e Kurban Bajramit është njëri ndër momentet më të rëndësishëm të vitit për besimtarët myslimanë, që karakterizon therja e kurbanit dhe kryerja e haxhit.

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, në mesazhin publik, Tërnava tha se festat fetare në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë.

“Kjo qëndron edhe te festa e Kurban Bajramit, ngase në themelet e saj ka sakrificën, barazinë, solidaritetin dhe mirësinë, vlera këto që si askush tjetër, kjo festë i sjellë për besimtarët dhe për njerëzimin. Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme të vitit për besimtarët myslimanë, të cilën e karakterizon therja e kurbanit që është Ibadet i rëndësishëm për besimtarët, si dhe kryerja e haxhit si kusht i Islamit”, tha Tërnava në mesazhin e tij.

Tutje, Myftiu shtoi se lirimi i masave ndaj COVID-19 dhe ardhja e mërgimtarëve e bëjnë këtë ditë edhe më madhështore, por kërkoi respektim të masave që aktualisht duhen respektuar.

“Edhe më madhështore festën e Kurban Bajramit të sivjetmë e bën lirimi i masave antiCOVID, e në veçanti prania e mërgatës sonë që e begaton festën dhe e forcon institucionin e familjes. Ju ftoj të gjithëve që ta festojmë Bajramin, por njëkohësisht të kemi kujdes që të respektojmë masat antiCOVID sepse virusi është ende në mesin tonë. Në këtë ditë feste, edhe njëherë e lusim Zotin që t’i mëshirojë të gjithë ata që pësuan nga COVID-19, të prekurve t’u japë shërim të shpejtë me shpresë te Zoti se jemi në prag të kalimit të kësaj sfide globale”, tha Myftiu Tërnava.

Tutje, ai shprehi dhembshuri për njerëzit që humbën jetën nga përmbytjet në Gjermani, Belgjikë, Austri e Turqi, duke e lutur Zotin që sa më parë të stabilizohet gjendja e krijuar nga vërshimet vdekjeprurëse.

“Më lejoni që në prag të festës së Kurban-Bajramit, në Ditën e Arafatit, të shpreh dhembshurinë time të thellë për viktimat që humbën jetën nga përmbytjet në shtetet mike: Gjermani, Belgjikë, Austri e Turqi, si dhe solidaritetin tonë me familjarët e tyre, duke lutur Zotin e Madhërishëm që sa më parë të stabilizohet gjendja e krijuar”, tha ai.

Reklama