Mustafa qan hallet e Hotit: Sot tri mësymje kundër tij

Mësymje kundër kryeministrit Avdullah Hoti, i ka cilësuar tri interpelancat e sotme në seancën e Kuvendit të Kosovës, kreu i LDK-së, Isa Mustafa.

“Sot, tri interpelanca njëpasnjë në Kuvendin e Kosovës. Tri mësymje kundër Kryeministrit Hoti. Dy, kundër marrëveshjes dhe bashkëpunimit me SHBA-të dhe një, pse është shprehur se duhet të zbatohet Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për respektimin e Ligjit të miratuar me 2/3 e deputetëve, i cili ka krijuar detyrime ndërkombëtare të Kosovës”, shkruan Mustafa.

“Ata që e vlerësojnë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-të, sot janë me Kryeministrin. Ata që ndajnë bindjen se Kosova duhet t’u përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare dhe Ligjit, si dhe partneritetit me BE-në, sot mbështesin sjelljen parimore dhe të përgjegjshme të Kryeministrit dhe Qeverisë Hoti!”, shkruan tutje kryetari i LDK-së.

Në seancën e dytë plenare që do të nisë në ora 10:00, do të mbahet interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Fitore Pacolli-Dalipi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Interpelanca e dytë me kryeministrin Hoti do të mbahet sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”.

Hoti do t’iu përgjigjet serish pyetjeve të deputetëve në interpelancën e tretë, me kërkesë të deputetit Rexhep Selimi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Reklama