Mungesa e fuqisë punëtore në fushat bujqësore të Rahovecit, brengë për komunën

Bujqve të Rahovecit po u vijnë ditë më të mira për prodhimet e tyre. Skënder Morina nga fshati Ratkoc derisa po dorëzonte 800 arka me speca në Qendrën Grumbulluese “Agrocelina” në Xërxe, tha për KOHËN se është i kënaqur me plasimin e prodhimeve të tij dhe se po i shpaguhej mundi. Ai tregon se sivjet ka pasur të mbjella 2 hektarë e 20 ari me speca dhe në të ka qenë i angazhuar me gjithë familjen e tij.

“Çdo ditë sjell speca këtu, deri tani kam dorëzuar 40-45 tonë të dorës së parë dhe deri në fund të sezonës pres të dorëzojë rreth 100 tonë speca”, tha Morina.

Një kilogram me speca Morina tha se i paguhet 45 cent dhe në rast të dorëzimit të 100 tonë specave del se ai mund të marrë 45.000 euro për prodhimin e një vere, me çka është shumë i kënaqur.

Morina bëri me dije se me pagesa nuk ka asnjëherë problem dhe se i merr paratë me rregull për specat e dorëzuar.

Edon Rexhepi, menaxher i shitjes dhe furnizimit në Qendrën e Grumbullimit për perime dhe pemë “Agrocelina”, në Xërxe njoftoi për KOHËN se prodhimet që grumbullojnë nga fermerët e Rahovecit, i eksportojnë në pothuaj të gjitha shtetet e Evropës me të cilat bëjnë kontrata paraprake.

Qendra sipas Rexhepit ka kapacitete pranimi deri në 5 mijë tonë, por varësisht nga kushtet atmosferike dhe rrethana të tjera grumbullohen 2500-3000 tonë perime dhe pemë.

“Marrim, speca, tranguj, rrush, kumbulla, molla, çmimin e kanë të garantuar fermerët, pagesat i bëjmë çdo 5 ditë përmes xhirollogarisë për fermerët, kemi rreth 500 fermerë-koperantë nga të cilët marrim prodhime”, ka njoftuar Rexhepi për punën e qendrës për grumbullimin e perimeve dhe pemëve.

Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku, ka thënë se qendrat grumbulluese dhe përpunuese në këtë komunë po ua lehtësojnë punën fermerëve lokalë por ai është shprehur i brengosur me mungesën e fuqisë punëtore në fushat bujqësore.

Duraku ka thënë se komuna i ka ndihmuar në mënyra të ndryshme qendra e grumbullimit dhe të përpunimit të prodhimeve bujqësore, që janë disa sosh në Rahovec.

“Si komunë bujqësore ne përkujdesemi vazhdimisht që t’i ndihmojmë bujqit tanë, në vazhdimësi i ndihmojmë ata me pajisje bujqësore, me hapjen e rrugëve fushore, ku vetëm më 2019-2020 i kemi hapur mbi 80 kilometra dhe po vazhdojmë me këtë punë edhe më tutje”, ka përmendur drejtori Duraku disa nga angazhimet e pushtetit lokal në raport me fermerët e Rahovecit.

Reklama