Moti për sot dhe ditët në vazhdim, pritet destabilizim i sërishëm

Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme. Mund të ketë riga të dobëta shiu në disa rajone. Erërat do të vazhdojnë të jenë herë pas here të fuqishme nga perëndimi dhe jugperëndimi.

Në Shqipëri mot i ndryshueshëm, me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Në disa rajone në veri, veriperëndim dhe në qendër mund të ketë rrebeshe të izoluara shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Në Maqedoni sot mot i ngjashëm sikurse në Kosovë, me intervale të gjata kohore me diell, vranësira kalimtare dhe me mundësi për ndonjë rigë të izoluar shiu.

Në Mal të Zi do të mbajë mot jostabil dhe me rrebeshe lokale shiu herë pas here pas intervaleve kohore me diell.

Nesër në tërë rajonin tonë do të mbajë mot me intervale më të gjata kohore me diell dhe vranësira kalimtare dhe kryesisht pa reshje. Pasdite në disa rajone në veri dhe verilindje të Kosovës mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu.

Të enjtën pritet destabilizim i sërishëm i atmosferës me rrebeshe lokale shiu. Rrebeshet më të fuqishme të shiut sipas ecurive aktuale sinoptike priten në Maqedoninë Veriore dhe lindje të Shqipërisë. Rrebeshe lokale shiu do të ketë edhe në rajonet tjera./Meteoballkan

Reklama