Moti për dy ditët e fundjavës

Sot në Kosovë do të mbajë mot i ngjashëm sikurse dje. Do të ketë intervale kohore me diell, vranësira, ndërsa nëpër disa lugina mund të ketë mjegull. Gjatë mbrëmjes do të fillojnë të fryjnë erëra nga veriu të cilat do të fuqizohen të dielën. Gjithashtu lokalisht gjatë natës do të ketë edhe reshje lokale shiu dhe bore të cilat do të shndërrohen në reshje bore. Edhe kësaj radhe nuk priten reshje të mëdha por kryesisht simbolike, pak më intensive në disa vise kodrinore-malore.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi do të mbajë mot i ngjashëm sikurse dje. Gjatë natës do të ketë shtim gradual të vranësirave të cilat në disa rajone në Shqipëri do të sjellin riga lokale shiu, kurse në verilindje të vendit mund të ketë fjolla dëbore.

Nesër në tërë rajonin do të kemi mot mjaft të ftohtë, me erëra të ftohta veriore dhe verilindore sepse do të kemi depërtimin e masave mjaft të ftohta ajrore nga verilindja e Kontinentit. Në Kosovë herë pas here dhe vende-vende priten reshje bore të intensitetit të dobët dhe mesatar. Reshje më të pakta (ose hiç fare) do të ketë përsëri në disa rajone të Dukagjinit.

Edhe në Shqipëri nesër do të mbajë mot mjaft i ndryshueshëm me reshje lokale bore në veri, verilindje, disa pjesë në lindje, juglindje, qendër dhe jug. Reshjet do të jenë të pakta në shumicën e rajoneve të përmendura me ndonjë përjashtim të vogël kur priten intervale të shkurtra të reshjeve pak më intensive.

Edhe në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi nesër do të mbajë mot mjaft i ftohtë me erëra veriore. Reshje bore do të ketë në veriun e Malit të Zi dhe disa pjesë të Maqedonisë së Veriut.

Temperaturat do të shënojnë ulje të theksuar të dielën në tërë rajonin por nuk pritet asgjë ekstreme.

Nga e hëna përsëri do të kemi mot pa reshje dhe të ftohtë, por me ngritje graduale të temperaturave gjatë ditës. Të mërkurën mund të kemi përsëri reshje kalimtare shiu dhe bore në disa rajone.

Reklama