Ministria e Bujqësisë hap fazën për dhënie të subvencioneve

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga sot fazën e aplikimit për pagesa direkte për disa kultura dhe aktivitete bujqësore, njofton kjo ministri përmes një komunikate për media.

Buxheti i ndarë sivjet për subvencione arrin shifrën e 25 milionë eurove, ndërsa koha për të aplikuar është një muaj.

“Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes Programit për Pagesa Direkte 2019, MBPZhR-ja ka ndarë një buxhet prej 25 milionë euro dhe afati për aplikim për këtë program fillon nga sot dhe përfundon më 30 qershor 2019”, thuhet në komunikatë.

“Ministria e Bujqësisë, në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për sipërfaqet e mbjella të grurit, të farës së grurit, të elbit, të thekrës, të tërshërës, të misrit, të lulediellit, për vreshtat ekzistuese, verë të prodhuar dhe deklaruar zyrtarisht, për pemishtet ekzistuese, për sasinë e dorëzuar/ shitur të frutave të mjedrës, për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore dhe hardhisë së  rrushit mbi nënshartesat vegjetative, për sipërfaqet e mbjella me perime, për bujqësi organike, për lopë dhe buallica qumështore, dele, dhi, bletë, për pula vojse, për thëllëza, për dosa në riprodhim, për primin e sigurimit bujqësor për kulturën bujqësore të mjedrës, për sasinë e dorëzuar/shitur të duhanit”, thuhet tutje në njoftimin e ministrisë së Bujqësisë.

Reklama