Ministri Vitia paralajmëron ashpërsim të masave anti-COVID

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka pritur sot në takim ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

Në këtë takim ambasadori Kosnett dhe ministri Vitia kanë diskutuar për situatën me COVID-19 në Kosovë, për të cilën është vlerësuar se është shqetësuese dhe kërkohet respektim I masave në fuqi, pa përjashtuar edhe plotësimin e këtyre masave me të tjera, transmeton lajmi.net.

“Ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar për situatën rreth COVID-19 në Kosovë, për të cilën është vlerësuar se është shqetësuese dhe kërkohet respektim i masave në fuqi, pa e përjashtuar edhe plotësimin e këtyre masave me të tjera, duke u bazuar në ecurinë e situatës epidemiologjike në vend.Në takim është theksuar se pandemia ka përkeqësuar situatën, përveç në rrafshin shëndetësor edhe në atë ekonomik e social.Ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar edhe për fillimin e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë dhe MSh për sigurimin e dozave te tjera me qëllim që të arrihet një mbulueshmëri sa më e lartë e popullatës me vaksinim”, thuhet në njoftim.

Ministri Vitia ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën nga partnerët dhe është shprehur mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në këtë aspekt, Ministri Vitia e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën nga partnerët dhe është shprehur mirënjohës për SHBA-të të cilët janë një nga donatorët kryesorë të skemës globale të vaksinimit, COVAX si dhe kontributin e përhershëm për shëndetësinë në Kosovë.Ambasadori Kosnett ka theksuar se SHBA-të përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partner të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19 dhe sigurimin e një përgjigje adekuate ndaj kësaj situate, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës në Kosovë”.

Reklama