Ministri i Shëndetësisë paralajmëron shtrëngim të masave kundër Covid-19

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se ndonëse situata me pandemi në Kosovë është stabile dhe Kosova qëndron në këtë aspekt më së miri në Evropë, prapë ai ka thënë se në ditët në vazhdim do të shtrëngohen disa masa më tepër.

Latifi ka folur për KTV-në pas mbledhjes së Komitetit për menaxhimin e pandemisë.

“Patëm një takim konstruktiv, biseduam për të gjitha aspektet e menaxhimit të pandemisë. Vazhdojmë të konstatojmë se gjendja është stabile, ndoshta jemi në gjendjen më të mirë në Evropë, por edhe krahasuar me vendet tjera në botë. Kjo nuk do të thotë assesi se duhet të çlirohemi e të lirojmë masat apo të mendojmë se COVID-i ka mbaruar. Kemi numër në rritje të rasteve, por është i vogël krahasuar me shtetet tjera në botë. Në ditët në vazhdim do të shtrëngohem disa masa më tepër”, ka thënë Latifi.

Ai ka bërë apel që të mbahet maska e po ashtu të vaksinohen të gjithë ata që nuk janë vaksinuar. Ndërsa ka thënë se shtrëngimi i masave do të varet edhe nga situata epidemiologjike.

Sot në Kosovë janë regjistruar 107 raste të reja me COVID-19.

Latifi ka thënë se është e vështirë të parashikohet se kur Kosova do të përballet me një valë të re të pandemisë.

“Është shumë e mundshme se do të përballemi me një valë tjetër si gjitha vendet tjera. Një element inkurajues është se Omicroni nuk është aq i rrezikshëm i formë, krahasuar me format tjera të mëparshme. Pavarësisht kësaj, ne duhet të marrim gjitha masat që të kemi kujdes”, ka thënë Latifi.

Reklama