Ministri i bujqësisë në Rahovec, Latifi: Presim ndihmën e Qeverisë për kthim në normalitet

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka vizituar sot Rahovecin për të parë nga afër zonat e prekura nga rrebeshe e shiut dhe breshërit, që më pas shkaktuan edhe vërshimet, duke dëmtuar shumë bujq në komunë.

Ministri Mustafa është pritur nga Kryetari i Komunës, Smajl Latifi, të cilët së bashku kanë vizituar fshatin Zaqisht e Krushë e madhe.

“Bashkë me kolegë bashkëpunëtorë dhe Ministrin në detyrë të Bujqësisë, z. Besian Mustafa, kemi vizituar sot zonat më të prekura nga rrebeshet intensive, breshri dhe vërshimet. Siç pamë nga afër, në Zaqisht e në Krushë të Madhe, ka dëmtime të mëdha të sipërfaqeve të mbjellura me kultura bujqësore, andaj bashkë me Ministrin në detyrë, z.Besian Mustafa u dakorduam që Qeveria domosdo të mbështesë fermerët dhe t’iu ofrojë mbështetje institucionale konkrete me aq kapacitete sa ka”, ka shkruar Latifi.

Kryetari ka njoftuar se me vendim të tij sot janë formuar pesë komisione për vlerësimin e dëmeve në bujqësi dhe ambisëri.

“Sot, me vendimin tim janë formuar edhe pesë komisione për vlerësimin e dëmeve në bujqësi dhe amvisëri, sidomos në zonat të cilat edhe janë kapluar nga vërshimet, siç është rasti me fshatin Krushë e Madhe e pjesë të tjera ku ka një dëm të konsiderueshëm nga breshri dhe vërshimet e mbrëmshme”, thuhet në njoftimin e Latifit.

Latifi ka theksuar se drejtoria e Bujqësisë do të hartojë një raport të detajuar për vlerësimin e dëmeve. Më pas, ka cekur ai, pret ndihmën e Qeverisë për kompensimin e tyre.

“Pas vlerësimit të gjendjes faktike në terren, Drejtoria e Bujqësisë, do të hartojë një raport të detajuar të vlerësimit të dëmeve, nga ku edhe shpresojmë që do të gjejmë përkrahjen e mjaftueshme që këto dëme të kompensohen, në mënyrë që bujqit tanë të kenë të paktën një përkrahje optimale për rikthim në normalitet”, ka shkruar Latifi.

 

Reklama