Ministri i Bujqësisë në Rahovec, Kryetari Latifi i kërkon mbështetje më serioze për fermerët

Gjatë ditës së djeshme kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur për një vizitë minsitrin e Bujqësisë, Besian Mustafa, me të cilin ka vizituar disa biznese bujqësore në komunën e Rahovecit.

Kryetari Latifi gjatë kësaj vizite e ka kërkuar mbështetjen e ministrit Mustafa në këtë kohë të vështirë për fermerët rahovecas. Ndër problemet kryesore Latifi gjatë diskutimeve me Mustafën, ka thënë se janë çështja e grumbullimit dhe pranimit të qumështit, kompensimi i dëmeve dhe çështja e pranimit të rrushit nga bodrumet dhe përpunuesit

“Kam pritur për vizitë ministrin e bujqësisë z.Besian Mustafa, ku bashkë vizituam stallën e Alban Thaçit nga Çifllaku, Kooperativën Bujqësore KB “KRUSHA” dhe ndërrmarrjen “M-Sillosi”. Duke parë gjendjen me të cilën po ballafaqohen fermerët tanë nga ministri Mustafa morëm konfirmimin, se brenda mundësive buxhetore do të ofrohet mbështetja për trajtimin e çështjeve me urgjencë si: çështja e grumbullimit dhe pranimit të qumështit, kompenzimi i dëmeve dhe çështja e pranimit të rrushit nga bodrumet dhe përpunuesit”, ka njoftuar Latifi.

Kryetari i Rahovecit ka thënë se në këtë kohë të vështirë për fermerët ai po mundohet të qëndrojë sa më afër tyre, për t’i përkrahur e motivuar për punë.

“Gjatë këtij viti sektori i bujqësisë ka pësuar dëme të shumta si nga breshri, vërshimet dhe dëme të shumta si pasojë e pandemisë. Andaj, edhe ne si komunë bashkë me ministrinë po angazhohemi që të jemi sa më afër bujqve dhe fermerëve tanë të vyeshëm për t’i përkrahur dhe motivuar në punë. Ministrin Mustafa e falënderova për vizitën dhe bashkëpunimin duke shpresuar që sa më shpejtë të gjenden zgjidhje të mira dhe në dobi të fermerëve!”, ka shkruar ai.

Reklama