Minatorët rrahin kryeshefin e ri të Trepçës, fajësohet i vjetri për organizim – Video

Minatorët e Trepçës e vërshuan objektin e kryeshefit të ri, të hënën. Por jo për përhajr.

Ata shkuan për t’i kërkuar llogari menaxhmendit të ndërmarrjes, për ndërrimin e kryeshefit, vendim ky që i futi në grevë që nga e premtja.

Por aty nuk u shkëmbyen vetëm muhabete, por edhe të shara e grushte.

Për pasojë, morën lëndime ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Enis Abdurrahmani, drejtori i Administratës, Besim Haxhiu, dhe dy policë. Të katërtit morën tretman mjekësor në emergjencën spitalore në Mitrovicë.

I posaemëruari e fajëson paraardhësin e tij Rafet Ibishi, për këtë sulm kolektiv. Ky dhe dy të tjerë tashmë gjenden në mbajtje, në stacionin policor.

Ky thotë se, po të mos vinte policia pasi e lajmëroi, do ta pësonte edhe më keq.

Abdurrahmani u zgjodh në këtë pozitë nga bordi drejtues i Trepçës, pasi ky i fundit e shkarkoi Ibishin për shkak të mosnënshkrimit të terminalit shtetëror për të cilin vendosi qeveria.

Kjo nxiti edhe grevën e minatorëve. Kryetari i Këshillit Grevist, Ragip Istrefi, nuk po e  merr përgjegjësinë e sulmit ndaj zyrtarëve, teksa u hedh pak faj udhëheqësve të rinj.

Objekti dhe anëtarët e menaxhmentit gjatë së hënës, pas incidentit, u ruajtën nga njësitet speciale policore.

E Abdurrahmani ka marrë vendim për suspendim të Ibishit dhe gjashtë punëtorë tjerë të Trepçës, për shkak të këtij incidenti.

Reklama