Mërgimtaret vijnë nga Suedia për t’i ndihmuar të varfrit e të sëmurët në prag të Bajramit

Kryetari Smajl Latifi bashkë me nënkryetarin Fatmir Iska, kanë pritur sot dy mërgimtare nga Suedia, të cilat në prag të festës së së Bajramit të Madh do të dhurojnë 95 pako ushqimore për familjet në nevojë, si dhe nga 50 euro për 11 pacientë që përballen me sëmundjen e kancerit.

Antigona Sokoli dhe Selvije Vehapi kanë ardhur nga Suedia për të organizuar dhënien e këtyre ndihmave.

“Sot, bashkëvendëset tona, dy zonja të nderuara që jetojnë dhe veprojnë në Suedi, Antigona Sokoli dhe Selvije Vehapi, në prag të festës së Bajramit të Madh, posaçërisht kanë ardhur nga atje, për të dhuruar 95 pako ushqimore për familjet në nevojë dhe nga 50 euro për 11 pacientë të cilët përballen me sëmundjen e kancerit”, ka njoftuar Latifi.

Ai ka thënë se solidarisimi me të varfrit është mesazhi kryesor i festës së bajramit.

“Solidarizimi me të varfërit është mesazhi kryesor që kjo festë na kujton të gjithëve, andaj dua t’ju falënderoj të gjithëve që keni shprehur gatishmërinë që në secilën mënyrë, të ndihmoni të gjithë ata që kanë nevojë, në ditë jo të lehta për shumë prej nesh. Faleminderit zonja të nderuara për solidarizimin dhe mbështetjen! Mirënjohës përherë!”, ka shkruar ai.

Reklama