Mbysim pleq, vjedhim varfanjakë

Editorial nga RahoPress

1830 qytetarë kanë vdekur pas infektimit me koronavirus prej ardhjes së pandemisë në Kosovë. Mbi 50 mijë qytetarë kanë humbur vendin e punës. Shumë të tjerëve i është ulur apo edhe përgjysmuar rroga. E megjithatë “dalldia” nuk ndalet. Në këtë editorial do t’i bëjmë një psikografi të shkurtër shoqërisë tonë që po dezerton masivisht nga lufta për të shpëtuar jetë njerëzish, e njëkohshëm po dezerton edhe nga lufta paralele për të shpëtuar ekonominë e vendit.

Tashmë, kriza shëndetësore si pasojë e koronavirusit është bërë bajate si temë mediale dhe nuk përfshihet mes lajmeve kryesore të ditës. E gjithë lufta e vendit me pandeminë përmbyllet me raportet 24 orëshe të IKShPK-së ku jepen shifrat e të infektuarve dhe të vdekurve të rinj, si dhe mundësia që si pasojë e këtyre shifrave të merren masa të reja shtrënguese.

Është e qartë se shoqëria e Kosovës është e çinteresuar për temën në vetvete. E çinteresuar për njerëzit që po lëngojnë keq e po vdesin pas infektimit. E vetmja gjë që nxit një farë interesi të zbehtë për temën është eventualiteti i një rrethane të re ekonomike. Qytetarët do të lexojnë për shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve nga pandemia, për aq sa do të ketë rrezik për mbyllje të sërishme të vendit. Nëse ky rrezik hiqet, atëherë është e qartë se as që do të lodhen për këtë punë.

Disa prej këtyre qytetarëve e mohojnë krejtësisht që virusi ekziston. Shumë të tjerë e mohojnë seriozitetin e tij – duke parë që kryesisht po vdesin qytetarë në moshë të shtyer. Por, ajo që shqetëson është se edhe pjesa më e madhe e shoqërisë – ata që e pranojnë ekzistencën dhe seriozitetin e virusit – shpërfill masat dhe i reziston luftës për shpëtim të jetës së njerëzve.

Janë dy kategori njerëzish që rrezikohen më shumë se kategoritë e tjera prej pandemisë. Të parët, ata që kanë sëmundje tjera shoqëruese dhe që nëse infektohen rrezikojnë vdekjen. Të dytët, ata që kanë kushte të rënda ekonomike dhe që rrezikojnë varfërinë ose thellimin e varfërisë nëse shtrëngohen masat anti-Covid.

Shoqëria nuk po arrin të ketë solidaritet për këta njerëz. Po i refuzon në mënyrë arrogante vuajtjet e tyre duke mohuar që të respektojë ato pak masa shtrënguese, jo fort shtrënguese, që e çlidhin prej normalitetit. Shoqëria po refuzon të dhurojë një pjesë fare të vogël lirie për të mirën e përgjithshme. Armët me të cilat autoritetet shëndetësore na pajisjën për të luftuar përhapjen e virusit ishin mbajtja e maskës mbi hundë, larja e duarve dhe mbajtja e distancës. Pra, jo diçka shumë e madhe. E megjithatë, dështimi për të respektuar këto pak masa jo aq kufizuese është më se alarmues.

Kosova është një shtet i vogël me pak banorë dhe prandaj shoqëria bart një barrë më të madhe fajësie se sa shoqëritë e shteteve më të mëdha. Është e mundur që secili prej nesh të njoh dikë që ka vdekur nga virusi. Ose të paktën dikë që njeh dikë që ka vdekur nga virusi. Ose, edhe dikë tjetër që ka humbur punën, apo të cilit i është përgjysmuar rroga nga pandemia. E megjithatë, kjo shoqëri vazhdon t’i thotë masivisht një JO të fortë dhënies së një pjese fare të vogël të lirisë së saj.

Një shoqëri kaq e vogël, dhe njëkohësisht kaq apatike ndaj më të sëmurëve e më të varfërve të saj të ndjell neveri. Dhe kësaj here, dështimi nuk është thjesht te politikanët apo institucionet. Kësaj here, përgjegjësia është shumëfish më e madhe te vetë shoqëria – së cilës iu çjerr maska e të qenit bujare e solidare siç mendohej dikur. Ajo që mësuam nga kjo pandemi është se shoqërisë tonë s’i bën për të sëmurët, pleqtë e varfanjakët e saj. Në fakt, s’i bën për askënd. Ra i gjithë ky mort dhe e pamë! Shoqëria kosovare – parë edhe nga ikja e vazhdueshme e qytetarëve drejt perëndimit – na del kësisoj një trup që mbahet bashkë dhunshëm, një trup që vullnetshëm dezintegrohet dhe ikë nga përgjegjësitë që i takojnë.

Prandaj, është e vështirë të mendohet një e ardhme më e mirë për shoqërinë nëse individët që e përbëjnë janë kaq të pandjeshëm ndaj njëri-tjetrit. E ardhmja e përbashkët në fakt duket më e zymtë se asnjëherë!

 

Reklama