Mbi 100 mijë vizitorë në Hardh Fest për tre ditët e festivalit

Organizatorët e Hardh Fest kanë njoftuar se edicioni i sivjetmë, ishte më i suksesshmi deri tani.

Sipas njoftimit, me një numër prej mbi 100.000 vizitorëve për tre ditë e tre net sa ka zgjatur festivali, Hardh Fest sivjet shënoi edicionin më të suksesshëm, me programin e pasur vreshtar, verëtar , trashëgimi kulturore dhe art që ishte përgatitur për vitin 2022.

“Pjesëmarrja e vizitorëve në Hardh Fest sivjet ishte dukshëm më e lartë se gjatë viteve të kaluara, si me pjesëmarrje në aktivitetet e shumta unike dhe rekreative ditore të festivalit,  poashtu edhe në koncertet e tri netëve që sollën emra të njohur të skenës ndërkombëtare dhe vendore. Vlen të përmendet edhe numri i rritur i pjesëmarrësve nga shtete e rajonit dhe Evropa në edicionin e këtij viti.  Turistë të huaj iu bashkëngjitën në disa raste aktiviteteve të ditës dhe u bënë pjesë e *dhjetëra mijëra vizitorëve* që morën pjesë në koncerte”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se pjesë e këtij suksesi janë të gjithë ata që kontribuuan, morën pjesë në aktivitetet ditore, që vizituan panairin e prodhimeve të verës, rakisë e rrushit në lokacionin e festivalit dhe ata që iu kënaqën tingujve të Pop & Rok me artistë të nivelit botëror si Kip Winger.

“Organizatorët janë të kënaqur me të gjithë rrjedhën e ngjarjeve për tre ditët e kaluara dhe falënderojnë secilin vizitor e pjesëmarrës në aktivitete si dhe institucionet, përkatësisht Komunën e Rahovecit, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, partnerin StoneCastle, sponsorin gjeneral Banka per Biznes dhe të gjithë sponsorët për mbështetjen e madhe në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore për vendin. Hardh Fest është një festival autentik që shkas organizimi merr festën e vjeljes së rrushit, duke promovuar kulturën e vreshtarisë dhe në përgjithësi bujqësinë lokale të Rahovecit, përmes artit dhe trashëgimisë kulturore”, vazhdon komunikata.

“Nga tani nis puna për një tjetër edicion! Shihemi në 2023”, thuhet në fund.