Mbi 10 mijë raste aktive në Kosovë, të premten hyjnë në fuqi masat e reja

Ditët e fundit janë rritur në shifra alarmuese rastet e reja të të infektuarve me COVID-19, duke bërë që autoritetet të mobilizohen për marrjen e masave të reja në luftë kundër kësaj pandemie.

Ministria e Shëndetësisë, në raportin e fundit 24-orësh bëri të ditur se janë kryer 9 mijë e 581 testime, nga të cilat një mijë e 765 kanë rezultuar pozitive.

Gjatë kësaj periudhe janë shënuar edhe pesë viktima.

Rritja e rasteve të reja me COVID-19 ka bërë që brenda një periudhe shumë të shkurtër, rastet aktive të shkojnë në 10 mijë e 183.null

Duke e parë trendin e rritjes së infektimeve, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën mbajti konferencë për medie.

Në këtë konferencë, Vitia ka prezantuar masat e reja për të luftuar COVID-19, masa të cilat priten që të miratohen nga Qeveria.

Mbyllja e klubeve të natës, reduktimi i orarit të lokaleve të gastronomisë dhe masat e reja për mbarëvajtjen e dasmave, përfshihen në masat e reja të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë.

Klubet e natës do të qëndrojnë të mbyllen deri më 1 shtator ndërsa restorante dhe baret do të qëndrojnë të hapura deri më orën 22:30.

Sa i përket sallave të dasmave do të funksionojnë deri në orën 22:30, me kapacitet të mysafirëve deri 150.

Reklama