Marrëveshje mes Latifit e Matoshit, Rahoveci përfiton rregullimin e shtratit të lumit nga Hoça deri në Krushë

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi ka njoftuar se ka nënshkruar marrëveshje financimi për Komunën e Rahovecit me Fatmir Matoshin, ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Sipas kësaj marrëveshjeje, do të financohet projekti i rregullimit të shtratit të lumit nga Hoça e Madhe, Brestoc, Hoçë e Vogël, Nagac e deri në Krushë të Madhe.

“Gjatësia e trajtimit të shtratit të lumit është 7,600 metra, ndërsa me këtë projekt synohet të zgjidhet problemi i vërshimeve, trajtimi i ujërave të zeza (kolektori) si dhe rregullimi i mjedisit përgjatë shtratit të lumit. Veç tjerash, në këtë projekt të cilin e ka hartuar Komuna e Rahovecit, parashihen edhe urat, stazat për ecje si dhe ndriçimi në pjesët e banuara”, thuhet në njoftimin e Kryetarit Latifi.

Latifi ka treguar se Ministria për sivjet i ka ndarë 150,000 europër këtë projekt.

“Ndërsa nga ministri Matoshi kemi marrë zotimin se do të planifikohet buxhet edhe për vitin tjetër me qëllim që ky projekt i rëndësishëm në fushën e mjedisit të përfundohet”, shkruan në fund Latifi. /RahoPress/

 

Reklama