Maltretimi i fermerëve rahovecas për një noter, presin në radhë të gjata te noteria në Prizren

Drejtoria e Bujqësisë në Rahovec, ka publikuar disa fotografi të pritjeve të gjata të fermërevë rahovecas në Zyrën e Noterit në Prizren, për të marrë deklaratën nën betim për aplikim për pagesa direkte.

“Pritjet e gjata të fermerëve për të marrë deklaratën nën betim për aplikmin e Pagesave Direkte. Që nga mëngjesi i hershëm fermerët e Komunës sonë, janë duke pritur pranë zyrës së Noterit në qytetin e Prizrenit”, thuhet në mbishkrimin e drejtorisë.

Drejtoria ka thënë se këto radhë të gjata po krijojnë vështirësi për fermerët.

“Siç shihet edhe në fotot e bashkangjitura rradhët për pritje janë tejet të gjata, të cilat krijojn edhe vështirësi për këta fermerë”, thuhet tutje.

Për më shumë se dy vjet, Rahoveci ka mbetur pa noter.

Për këtë gjë, duke fajësuar Minsitrinë e Drejtësisë, ka reaguar pak ditë më parë edhe Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

“Nuk mund të lejojmë që të aplikohen masa të paaplikueshme, në një komunë që është kryesisht bujqësore, e cila është krenaria e Republikës së Kosovës, që dikush të merr vendime pa u konsultuar, pa i marrë parasysh, shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e bujqëve. Presim nga Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu dhe Ministri i Bujqësisë, z.Faton Peci, të adresojnë me urgjencë këtë çështje dhe të kemi një zgjidhje konkrete, një model të përshtatshëm, ku bujqit mund t’i kryejnë aplikimet pa probleme”, kishte shkruar Latifi.

Latifi kishte kërkuar urgjentisht hapjen e një zyre noterie në Rahovec.

“Përpjekjet tona janë serioze, qëllimet tona janë mëse të qarta, zgjidhja të gjendet sa më shpejtë që është e mundur, Rahoveci urgjentisht duhet të bëhet me NOTER”, kishte shkruar Kryetari i Rahovecit.