Lumir Abdixhiku shpall kandidaturën për kryetar të LDK-së

Lumir Abdixhiku ka konfirmuar se do të kandidojë për të parin e LDK-së. Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se nuk do të ketë marrëveshje për këtë post, dhe s’duhet të ketë.

Abdigjiku ka shkruar se më 14 shkurt morën rezultatin më të rëndë historik.

“Me vetëm 12.6% e me vetëm 110 mijë vota, u renditëm në pragjet më të ulëta politike. Ishte ndëshkim nga njerëzit tanë, nga qytetarët e vendit tonë, nga të njëjtit që dikur na kishin dhënë besim. E rëndë është rënia, por, më i pafalshëm do të mbetej mosreflektimi i thellë i yni në rrugëtimin tonë përpara. Ky rrugëtim kërkon ndryshim. Mburrja jonë ndërtohet mbi të shkuarën; prandaj, ne e falënderojmë dhe e nderojmë secilin për shërbim. Por, e shkuara s’na mjafton më! Përpjekja jonë politike duhet t’i qëndrojë të sotmes. Reformat duhet ta projektojnë të ardhmen. Ato duhet të jenë të thella dhe të pashmangshme. Shtyllat tona ideologjike i mbijetojnë kohës – njerëzit jo”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se LDK-ja duhet të ringritet e të përfaqësojë sërish vendin. Ai ka shtuar se duhet të forcohen dyert e kësaj partie.

“Përtej mbështetjes së votuesve që mora sërish, ditëve të fundit nga anëtarë e mbështetës të LDK-së kam marrë kërkesë për t’i prirë ndryshimit të madh. Përveç konsideratë, ky është nderim. Thirrjet më vijnë nga delegatë, veprimtarë e votues nga të gjitha qytetet e Kosovës; nga të gjitha gjeneratat e kontribuesve; nga të gjitha rajonet. Më 14 mars, do ta pranoj këtë kërkesë e këtë propozim si privilegj dhe si përgjegjësi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të ketë garë dhe garë të drejtë e me votë të fshehtë. Abdixhiku ka shkruar se u duhet një proces zgjedhës demokratik për të mbajtur një standard të lartë politik.

“Le të vendoset lirë. Veç LDK mund ta bëjë një gjë të tillë! Natyrisht se ka të tillë që – përkundër rezultatit të tanishëm – vazhdojnë të insistojnë në mosndryshim dhe se çdo ndryshim e refuzojnë ekzistencialisht. Nuk i kuptoj; i pres, por s’i mirëpres. Gjithsesi i respektoj për mendim. Unë, megjithatë, rrugën përpara e shoh ndryshe. Dhe në këtë rrugë pres zgjim. Zgjim të shumicës për rikthim sepse në rënie s’mund të rrimë të qetë për asnjë çmim”, ka thënë ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës është renditur e treta në zgjedhjet e 14 shkurtit me 12.6 për qind të votave, duke shënuar kështu rezultatin më të keq në historinë e kësaj partie.

Pas këtij rezultati, kryetari aktual Isa Mustafa, paralajmëroi dorëheqje, ndërkaq nënkryetari i saj, Lutfi Haziri tha se janë kryesi në dorëheqje.

Më 14 mars, fiks një muaj pas ditës së zgjedhje, LDK-ja do të mbajë Kuvendin e saj për të zgjedhur kryetarin dhe kryesinë e re të partisë.

Reklama