Lumbardh Dellova nga Krusha e Madhe, shqiptari i radhës që pritet të shpërthejë ne futbollin evropian

Lumbardh Dellova ka hyrë nga “dera e vogël” te Hajduku i Splitit, por në klubin e famshëm kroat po presin shumë prej tij tashmë. Gazeta e afërt me Hajdukun, “Slobodna Dalmacija”, e ka vlerësuar Dellovën befasinë më të madhe të fazës përgatitore të Hajdukut.

Ai e ka fituar rastin në disa ndeshje dhe ka bindur drejtuesit e klubit. Sipas gazetës kroate, Dellova ka zënë vend në njëmbëdhjetëshin startues dhe është i gatshëm të rrëmbejë rastin e tij.

Prizrenasi Dellova në gusht të vitit të kaluar kaloi te Hajduku nga Liria e Prizrenit. Sipas “SD”, Dellova i është bashkuar Hajdukut disi “mes gishtave”, në plotësim të ekipit dhe më pas është profilizuar në ekipin e dytë të klubit nga Spliti, shkruan sot Koha Ditore.

Në dy raste së fundi është aktivizuar si mbrojtës i majtë i Hajdukut, ndonëse pozita e tij natyrale vlerësohet ajo e mbrojtësit të qendrës. Te Hajduku janë edhe Ardian Ismajli, Emir Sahiti, Francesko Tahiraj e po ashtu disa të rinj shqiptarë që po e kërkojnë rastin e shpërthimit. Dellova 20-vjeçar tashmë po del në sipërfaqe.

Reklama