LDK: Nuk u nënshtrohemi presioneve publike, i vazhdojmë diskutimet me VV-në

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka deklaruar se do t’i vazhdojë diskutimet me Lëvizjen Vetëvendosje, derisa shprehet e bindur për ta respektuar vullnetin e zgjedhjeve të gjashtë tetorit. Kjo deklaratë vjen një ditë pas mospajtimeve në mes të dy partive.

Partia e Isa Mustafës ka deklaruar se shpreh gatishmëri për marrëveshje bashkëqeverisëse, bazuar në fuqinë politike që ua kanë dhënë votuesit dy partive.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Tutje, LDK-ja bën të ditur se diskutimet do të vazhdojnë shumë shpejt e se nuk do t’u nënshtrohen presioneve publike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, bëhet e ditur.