Latifin e gëzojnë me një vizitë futbollistët e rinj të Shkollës së Futbollit “Anadrini”

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar se sot në zyrën e tij të punës ka pritur fëmijët e shkollës së futbollit “Anadrini”, bashkë me kryetarin e saj dhe me trajnerin dhe profesorin e Kulturës Fizike, Shefqet Morina.

Sipas kryetarit, ata e kanë uruar atë për marrjen e detyrës si kryetar në mandatin e dytë si dhe i kanë dhuruar një fanele të KF “Anadrini”. Ndërkaq, Latifi u ka ofruar atyre mbështetjen institucionale për promovimin dhe zhvillimin e talenteve të tyre në futboll.

Latifi ka shkruar:

Sot, në zyrë i prita disa mysafirë të veçantë, të cilët më gëzuan e më sollën energji pozitive me vizitën e tyre. Fëmijët e Shkollës së Futbollit “Anadrini”, bashkë me Kryetarin e klubit “Anadrini”, Behar Bytyçi dhe trajnerin e profesorin e Kulturës Fizike, Shefqet Morina ma dhuruan një fanelë të KF “Anadrini” dhe më uruan për detyrën si kryetar në mandatin e dytë.

Fëmijëve të kësaj shkolle u ofrova mbështetje për t’i zhvilluar dhe për t’i promovuar talentet e tyre të veçanta në futboll, me shpresën që në të ardhmen të depërtojnë në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare të futbollit profesional.

Dera e institucionit të Komunës së Rahovecit do të jetë gjithmonë e hapur për të rinjtë e talentuar që kanë nevojë për mbështetje në synimet e tyre për t’i prekur majat, në sport, kulturë, art apo çfarëdo fushe tjetër.

I falënderoj për vizitën nxënësit, Kryetarin dhe trajnerin e “Anadrini”-t.

SL

Reklama