Latifi viziton Plakun e Krushës, të atin e dëshmorit Ismail Gashi në 22-vjetorin e rënies

Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi me disa bashkëpunëtorë, ka vizituar dje Malush Gashin, i njohur edhe si Plaku i Krushës.

Gashi është babai i dëshmorit Ismail Gashi, i cili ra më 28 maj 1999. Kryetari Latifi e ka përshkruar Plakun e Krushës si një njeri që shtëpinë e kishte gjithmonë të hapur për mikun e udhëtarin, duke ruajtur me fanatizëm traditat e të parëve.

“Malush Gashi nga Krusha e Madhe, i njohur si Plaku i Krushës, shtëpinë e kishte gjithmonë të hapur për mikun e udhëtarin. Në këtë frymë u edukua edhe i biri Imaili, i cili ra dëshmor më 28 maj 1999. Traditat  e të parëve janë ruajtur me fanatizëm, sepse ishte mënyra e vetme për t’i bërë ballë pushtimit serb dhe asimilimit”, ka shkruar Latifi.

Familjen Gashi Latifi e ka konsideruar familje heronjsh. I ka shprehur nderimin dhe respektin e tij të përhershëm për plakun, si dhe për birin e tij dëshmor.

“Plaku është krenar për të kaluarën e tij, por është tepër modest. Për veten nuk flet kurrë edhe pse në ditët më të vështira dhe më të rrezikshme u përball me barbarinë serbe. Barti arkivolet e luftëtarëve të rënë në Pashtrik në dhjetor të vitit 1998 dhe trupat e të rënëve në Rogovë të Hasit në janar të vitit 1999.  Sa herë vijnë përvjetorët e dëshmorëve baca Plak flet për të gjithë të rënët dhe jo vetëm për të birin. Për të, të gjithë dëshmorët janë bijtë e bijat e tij. Kjo familje heronjsh edhe sot vazhdon të jetë në mbrojtje të vlerave tona kombëtare dhe ndejat e bisedat me Plakun gjithmonë janë të këndshme e të paharrueshme. Ai që hyn në këtë odë burrash nuk mund të mos e përjetojë krenarinë që ka familja Gashi për luftën, qëndresën dhe të rënët për liri.  Nderim e respekt për dëshmorin Ismail Malush Gashi dhe të gjithë dëshmorët e kombit gjtihandej trojeve shqiptare!”, ka shkruar Latifi.

 

Reklama