Latifi viziton blegtorët: U pamundësua shitja e 5,000 qengjave për shkak të mbylljes së gastronomisë

Pas shqetësimeve të ngritura nga fermerët rahovecas, bashkë me drejtorin e bujqësisë, Berat Durakun, kryetari Smajl Latifi sot ka vizituar disa nga blegtorët, të cilin e ka vlerësuar si një sektor ku mund të investohet dhe sigurohet punësim edhe për të tjerët.

Latifi ka thënë se Komuna e Rahovecit ka pësuar dëme në të gjithë sektorët si pasojë e mbylljes për ta luftuar pandeminë. Ai ka thënë se nga blegtorët është informuar se 5,000 krerë qengja janë të gatshëm për treg, por si pasojë e mbylljes së gastronomisë, shitja e tyre është pamundësuar.

“Komuna jonë ka humbur shumë në të gjithë̈ sektorët, dhe masat e reja si ajo e mbylljes totale po sjellin pasoja në ekonominë tonë, në rastin konkret, nga blegtorët u informova se afër 5000 krerë qengja, tanimë janë të gatshëm për treg, por që efektet e pandemisë Covid 19 dhe mbyllja e gastronomisë ka bërë të pamundur si shitjen e tyre, poashtu edhe të produkteve që prodhohen po nga blegtoria. Një problem i tillë është mjaft serioz do të dërgonte në një kolaps, falimentimin e stallave, mbetjen e punëtorëve pa punë, këputjen e një hallke të rëndësishme të zinxhirit që ndikon direkt në mirëqenien sociale dhe zhvillimin e ekonomisë familjare”, ka shkruar Kryetari Latifi.

Ai ka thënë se fermerët kanë nevojë për ndihmën e shtetit.

“Fermerët tanë kanë nevojë jo vetëm për ndihmë nga institucionet shtetërore qendrore e lokale, por edhe për përkrahje nga gjithë shoqëria. Të gjithë ne duhet ta shohim si obligim moral që t’i ndihmojmë të dalin nga situata e vështirë e tyre duke konsumuar sa më shumë prodhime vendore”, ka shkruar ai.

 

Reklama